Lufta në Ukrainë, BE-ja shton ndihmën, Moska kërcënon
Bashkimi Evropian do të vazhdojë me mbështetje maksimale financiare...

Bashkimi Evropian do të vazhdojë me mbështetje maksimale financiare dhe ushtarake për Kievin, duke shtuar njëkohësisht presionin ndaj Moskës për një paqe të qëndrueshme, deklaroi Ursula von der Lejen në Parlamentin Evropian.
Ajo njoftoi 45 miliardë euro ndihmë për Ukrainën në vitin 2027, me çka BE-ja do të mbulojë dy të tretat e deficitit financiar prej 70 miliardë, ndërsa pjesën tjetër do ta sigurojnë partnerët ndërkombëtarë.
Kërkoi që Evropa të jetë e përfshirë në negociatat e paqes dhe bëri thirrje për armëpushim dimëror.
“Evropa dëshiron një paqe që mund të zgjasë, e cila e mbron sovranitetin e Ukrainës dhe siguron garanci për sigurinë e saj afatgjatë.”, - deklaroi kryetarja e KE-së, Ursula von der Lejen.
Nga Moska, ndërkohë, nuk ka informacione konkrete për kontakte të mundshme evropiane, as ndonjë datë për vazhdimin e raundit të ri të negociatave të paqes. Zëdhënësi i Kremlinit thotë se mesazhi i fundit nga Brukseli ka qenë se vendet evropiane nuk duan bisedime dypalëshe me Rusinë.
“E vetmja gjë që dëgjuam nga Brukseli është se evropianët kanë vendosur të mos vendosin kontakte dypalëshe.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Në terren, sulmet ruse ndaj infrastrukturës ukrainase vazhdojnë. Putin paralajmëroi hakmarrje të pashmangshme për goditjet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës. Paralajmëroi se kufizimet e BE-së ndaj energjensëve rusë do t’u krijojnë probleme vetë evropianëve.
“Përgjigjja e Rusisë ndaj sulmeve ukrainase mbi rafineritë tona të naftës është e pashmangshme. Kievi nuk e respekton kërkesën e Trampit për t’i ndalur sulmet. Kufizimet e Bashkimit Evropian ndaj eksportit të naftës dhe gazit rus do t’u krijojnë probleme serioze, para së gjithash vetë evropianëve.”, - u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Ndërkohë, Zelenski përshëndeti mbështetjen nga Hungaria, me të cilën ranë dakord për furnizim me dizel dhe bashkëpunim energjetik. Kievi megjithatë nuk ka leje amerikane për prodhimin e raketave PAC-2 dhe PAC-3, as nënshkrimin për furnizimin me 48 raketa për sistemet Patriot.
“Ekziston një marrëveshje për 48 raketa Patriot, por sekretari amerikan i mbrojtjes, Hegseth, nuk e ka nënshkruar.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kancelari gjerman Merz, nga ana tjetër, i hodhi poshtë kritikat se Berlini shpenzon shumë për Ukrainën dhe paralajmëroi se ambiciet ruse e tejkalojnë territorin ukrainas.
“Rusia e di saktësisht çfarë do, dhe do më shumë se Ukrainën. Rusia po i shton tensionet në rajonin e Balltikut, në Poloni, në Detin e Zi, në hapësirë, por edhe në vetë Gjermaninë. Si evropianë, duhet t’ia tregojmë kufijtë Rusisë.”, - theksoi kancelari gjerman, Fridrih Merz.
Paralelisht, BE-ja po negocion për një mbështetje afatgjatë prej 100 miliardë eurosh për Kievin në periudhën e ardhshme buxhetore, por anëtaret mbeten të ndara rreth interesave të kredive ekzistuese, të vlerësuara në 55,4 miliardë euro shtesë. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
