Maqedoni
Marrëveshja kolektive në kulturë, Sindikalistët: Gjykata nuk guxon të jetë mashë e pushtetit
25.11.2026 14:47
Përfaqësuesit sindikalë nga sektori i kulturës kërkuan të marrin pjesë në seancën ku do të merret vendim lidhur me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Marrëveshjes Kolektive...

Për të tretën herë radhazi përfaqësuesit sindikalë nga sektori i kulturës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese, të marrin pjesë në seancën ku do të merret vendim lidhur me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Marrëveshjes Kolektive, si dhe të Nenit 78 të Ligjit. Kjo për shkak se sipas tyre çdo shfuqizim ose anulim i mundshëm i marrëveshjes do t'i kthente kushtet në sektorin e kulturës në gjendjen e para vitit 2020, duke çuar në humbjen e të drejtave të fituara të punës për mijëra punonjës.
“A do të thotë kjo se tani më gjykata ka krijuar qëndrim dhe se vendimi është praktikisht i vendosur më parë apo i porositur dhe se nuk ka nevojë të dëgjohet njëra nga palët që ka nënshkruar marrëveshjen kolektive. Gjykata nuk guxon të jetë mashë në duart e cilit do pushtet e as instrument për legjitimimin e padrejtësisë.”, - deklaroi kryetarja e SKRM-së, Vera Atanasovska.
Reaguan edhe nga Gjykata Kushtetuese, nga ku thonë se përmbahen nga komentimi publik mbi argumentet ligjore apo nga paragjykimi i rezultatit të procedurës në çfarëdo mënyre.
"Gjykata Kushtetuese u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara të respektojnë pavarësinë e saj të garantuar me Kushtetutë dhe të lejojnë që procesi i vendimmarrjes të zhvillohet pa pengesa, i lirë nga çdo formë presioni apo ndikimi. Gjykata Kushtetuese i merr vendimet e saj ekskluzivisht mbi bazën e Kushtetutës, pavarësisht pritshmërive, interesave apo popullaritetit të temave në diskursin publik.", - thanë nga Gjykata Kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në pozitën juridike dhe ekonomike të mijëra punonjësve të kulturës në vend. Ndërsa gjykata duhet të vlerësojë përputhshmërinë e Marrëveshjes Kolektive me Kushtetutën dhe ligjet, sindikata kërkon që në këtë proces të dëgjohen edhe argumentet e palëve nënshkruese, respektivisht argumentet e tyre.
SARA KAJOLLI
