VLEN: Disa provime profesionale do të jepen edhe në shqip
Disa provime profesionale dhe shtetërore...

Disa provime profesionale dhe shtetërore tani e tutje do të jepen për herë të parë në gjuhën shqipe. Kështu njoftoi sot bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili numëroi një numër të provimeve profesionale që janë bërë 100% në gjuhën shqipe në qeverisjen e VLEN-it.
Bëhet fjalë për Provimin për revizorë/auditorë të autorizuar shtetërorë, Provimi për agjentët e sigurimeve, të cilët licencohen nga MAPAS; Provimi për ekspert për vlerësim të ndikimit të projekteve ndaj ambientit jetësor; Provimi profesional për ekspert për vlerësim strategjik të ambientit jetësor; Provimi për drejtor te institucionet parashkollore; Provimi për edukator te institucionet parashkollore; Provimi për punëtor te institucionet parashkollore; Provimi për kujdestar profesional te institucionet parashkollore; Provimi për mjekët; Provimi për stomatologët dhe Provimi për motrat medicinale.
“Deri para dy vitesh, provime shtetërore dhe profesionale ishin 100% në gjuhën maqedonase. Ne trashëguam një sistem me zgjidhje parciale, me çështje të hapura, por shumë propagandë. E propaganda asnjëherë nuk ka qenë përgjigje për problemet. Ajo ka qenë vetëm instrument për të siguruar qeverisjen e një klase të diskredituar politike që premtonte shumë, por realizonte pak. Duke hapur kapitullin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe, ne po bëjmë atë që BDI për 20 vite vetëm e premtonte.”, - theksoi bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.
Me reagim të menjëhershëm pas konferencës së Mexhitit dolën nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Integristët thonë se transformimi i provimeve në shqip e konfirmon se Ligji për përdorimin e gjuhëve mundëson dhënien e provimeve profesionale në gjuhën shqipe.
“Sot u dëshmua edhe një herë se gjuha shqipe ka bazë të qartë ligjore dhe kushtetuese për këtë të drejtë. Problemi nuk është te mungesa e ligjit, por te mungesa e vullnetit dhe kapacitetit të kësaj garniture qeverisëse, e cila pa legjitimitet politik nuk arrin as ta zbatojë ligjin.”, - thanë nga BDI.
Pjesa dërrmuese e provimeve profesionale, duke filluar nga Provimi i Jurisprudencës dhe të tjerat, janë mbajtur vetëm në gjuhën maqedonase që nga pavarësia e shtetit, ndërsa për herë të parë po mundësohet provimi dhe licenca edhe në gjuhën shqipe. (Benjamin Arifi, TVM2)
