Maqedoni
Energjetikë, Bozhinovska: Punojmë në pavarësi energjetike,
25.11.2026 15:22
Rëndësi të veçantë pati edhe roli udhëheqës i grave në politikat energjetike...

Detyra kryesore e sektorit të energjisë është sigurimi i energjisë, investimeve të gjelbra dhe burimet e ripërtërishme, u tha në forumin e diplomacisë së energjisë dhe burimeve të rinovueshme energjetike. Rëndësi të veçantë pati edhe roli udhëheqës i grave në politikat energjetike, me ç'rast u nënshkrua edhe një deklaratë për pjesëmarrje më të madhe të grave në këtë pozitë menaxhuese. Sipas drejtueses së resorit, Sanja Bozhinovska, qëllimi është që prioritetet e përbashkëta t'i shndërrojmë në partneritete, investime dhe iniciativa konkrete për një të ardhme energjetike të sigurt, rezistente dhe të qëndrueshme. Me kapacitetet e reja punohet drejt uljes së varësisë energjetike, thotë Bozhinovska.
“Pozita jonë strategjike na mundëson që të jemi lidhje e rëndësishme energjetike në rajon. Me ndërtimin e interkonektorit të gazit me Greqinë dhe me ndërlidhjen e planifikuar me Serbinë, punojmë në hapjen e drejtimeve të reja të furnizimit.”, - deklaroi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Pjesëmarrja e grave në diplomacinë e energjisë, nënshkruhet deklaratë
Planifikim energjetik do të thotë që të gjitha palët ta arrijnë qëllimin: amvisëria, shteti dhe biznesi, tha përfaqësuesja nga Kombet e Bashkuara. Sipas saj, Maqedonia e Veriut për pesë vite ka arritur të rrisë prodhimin e energjisë elektrike nga burime të reja dhe po ashtu edhe fuqinë instaluese.
“Energjia nuk do të thotë vetëm planet për prodhimin e energjisë elektrike dhe planet financiare. Ka të bëjë me atë kur familja mund ta ngrohë shtëpinë, bizneset mund t'i mbajnë dyert hapur dhe shteti të vazhdojë në drejtimin e duhur. Për atë jemi këtu, për të bërë tranzicion energjetik më të shpejtë dhe të udhëhiqet nga talente të reja, të cilët shoqëria jonë i ka.”, - theksoi koordinatorja.
“E ardhmja e energjisë nuk do të përcaktohet vetëm nga burimet energjetike dhe teknologjia, por edhe nga njerëzit të cilëve u japim fuqinë dhe mundësinë për të marrë vendime përkatëse. Gratë në shumë vende të botës privohen nga të drejtat themelore dhe mundësitë e barabarta, përfshirë edhe në sektorin e energjisë.”, - u shpreh përfaqësuesi i UNDP-së, Armen Grigorijan.
Në forumin e parë për diplomaci energjetike u fol edhe për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në avancimin e sigurisë energjetike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
