Dita e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, “Hera”: 7 raste femicidi për 9 muaj në RMV

25.11.2026 15:31

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave...

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave - 25 Nëntori, nga organizata “Hera” kanë kujtuar 7 viktimat e këtij viti të vajzave dhe grave në Maqedoninë e Veriut si pasojë e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Ato reagimin e tyre e paraqitën në mënyrë simbolike me dy maketa me ngjyrë të kuqe, ndërsa kërkuan reagimin e institucioneve.

Nga “Hera” theksojnë se duke i inkurajuar gratë t’i paraqesin rastet e dhunës nuk bëjmë asgjë, sepse kur i paraqesin rastet ato përballen me sportele të zbrazëta apo të ngadalshëm, ose në zyrtarë që do ta fusë paraqitjen në sirtar dhe ato përsëri do të shkojnë në shtëpinë e tyre ku do të rrihen, maltretohen dhe vriten.

“Shtatë femicide për më pak se një vit për nëntë muaj. Kjo nuk është vetëm statistikë e njoftimeve të MPB-së, por shtatë herë dështim për mbrojtje. Vrasja e 17-vjeçares Biljana Kiriq nga Bogdanca është rasti më i freskët dhe më i dhimbshëm, se gratë dhe vajzat në vend edhe kur janë të moshës së mitur mund ta humbin jetën si pasojë e dhunës me bazë gjinore. Ky rast nuk duhet të përfundojë si edhe një pasojë me prapavijë të zezë me shkronja të zeza dhe muzikë melankolike. Për këtë duhet ngritur një sërë procedurash për t’i analizuar të gjitha veprimet që i bëjnë institucionet dhe moskujdesi i tyre. Të dhënat zyrtare tregojnë se dhuna është përditshmëri e mijëra grave në vend, ndërsa numri i paraqitjeve bëhet gjithnjë e më alarmant.”, - deklaroi aktivistja në “Hera”, Ilaria Dimukova.

“Ne kërkojmë që thjesht të jetojmë pa frikë, i kërkojmë kushtet elementare, që përfshijnë mundësinë që të dashurojmë pa frikë se një ditë partneri ynë do të kthehet të na vrasë, ndërsa institucionet nuk do të bëjnë asgjë që të fitojmë drejtësi për këto raste.”, - theksoi  aktivistja në “Hera”, Anastasia Pavllovska.

Një raport i publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ka prezantuar shifra alarmante. Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën janë vrarë nga partnerët e tyre ose anëtarët e familjes gjatë vitit 2025.

Sipas këtyre të dhënave, nga rreth 78 mijë gra dhe vajza të vrara në botë gjatë vitit 2025, 60 për qind u vranë nga partnerët ose familjarët e tyre. Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo ditë 129 gra dhe vajza u vranë nga njerëzit e rrethit të tyre më të afërt.

Sipas raportit të OKB-së, numri i viktimave ishte veçanërisht i lartë në Afrikë, ndërsa gratë dhe vajzat ishin relativisht më të sigurta në Evropë. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)