Debat publik për Kodin e ri Penal, Shasivari: Më shumë qartësi, më pak hapësirë për abuzim
25.11.2026 15:32
Kodi i ri Penal parasheh rregullim më të detajuar të veprave penale....

Kodi i ri Penal parasheh rregullim më të detajuar të veprave penale që lidhen me financat publike, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimeve. Përmes saktësimit dhe sistematizimit të dispozitave që deri më tani kanë qenë të shpërndara në ligje të ndryshme, synohet të tejkalohen paqartësitë dhe vështirësitë me të cilat janë përballur organet e ndjekjes penale në praktikë. Kjo u theksua në debatin e parë profesional për Kodin e ri Penal, ku ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, tha se teksti është harmonizuar me direktivat dhe standardet evropiane e ndërkombëtare, duke synuar forcimin e sigurisë juridike dhe krijimin e mekanizmave më efikas për parandalimin dhe ndëshkimin e kriminalitetit. Dënimi për keqpërdorimin e funksionit publik parashihet të arrijë deri në 15 vjet burg.
“Ka precizim të dispozitave ligjore të Kodit Penal, ka precizim të sanksioneve penale, parashihen edhe vepra të posaçme penale që më herët nuk kanë qenë, si për shembull vepra e re penale, keqpërdorimi i prokurorimeve dhe furnizimeve publike që më herët nuk ka qenë, prandaj dhe e përmenda se mjetet publike kërkojnë transparencë dhe parandalimi i abuzimeve të keqpërdorimit të mjeteve publike është një nga qëllimet kryesore të Kodit të ri Penal, dhe nga ana tjetër është se teksti është harmonizuar me standardet evropiane ndërkombëtare të kësaj materie.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Me Kodin e ri Penal parashikohen vepra të reja penale dhe ndryshime në trajtimin e korrupsionit të lartë. Akademiku Vllado Kambovski paralajmëron saktësimin e nocionit “person zyrtar”, për të dalluar keqpërdorimet nga personat në pozita teknike dhe ata në pozita drejtuese, si dhe zgjerimin e mundësive për konfiskimin e pasurisë së dyshimtë, për të cilën ekzistojnë dyshime se është fituar përmes aktiviteteve kriminale. Ndryshimet përfshijnë edhe rishikimin e afateve të ndjekjes penale për veprat që lidhen me korrupsionin e lartë.
“Këtu, për shembull, kemi çështjen e re të konfiskimit të pasurisë së dyshimtë, pasurisë me origjinë të panjohur, për të cilën ekzistojnë baza dyshimi se është fituar në kuadër të ndonjë aktiviteti kriminal të një grupi të organizuar kriminal. Kjo është një çështje që duhet ta qartësojmë, sepse tashmë duhet të kompletohet e gjithë qasja ndaj konfiskimit të pasurisë.”, - theksoi kryetari i AShAM-it, Vllado Kambovski.
Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se Kodi i ri Penal sjell disa përmirësime në luftën kundër korrupsionit, por kanë vërejtje për procesin e hartimit dhe kohën e shkurtër për shqyrtimin e tij. Për disa prej tyre, më kontestuese mbetet zgjidhja për keqpërdorimet në prokurimet publike, ku, sipas Sabina Fakiqit nga Qendra për Komunikime Qytetare, shpenzohet çdo vit një e katërta e buxhetit të shtetit, apo mbi 1.5 miliardë euro.
“Fillimisht duhet kritikuar i gjithë procesi. Përgatitja e Kodit të ri Penal nisi që në vitin 2019. Për një kohë të gjatë nuk kishim informacione të mjaftueshme se çfarë po ndodhte cili ishte versioni aktual dhe si po punohej për të. Më pas gjithçka përfundoi me një sprint, ku na u kërkua që brenda pak javësh ta analizonim të gjithë Kodin dhe të paraqisnim vërejtjet tona.”, - u shpreh Darko Avramovski nga Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta”.
“Zgjidhja e propozuar në Kodin e ri Penal e kufizon gamën e keqpërdorimeve në prokurimet publike që mund të sanksionohen.”, - theksoi Sabina Fakiq nga Qendra për Komunikime Qytetare.
Versionet e punës të Kodit të ri Penal tashmë janë publikuar në Regjistrin Elektronik Nacional të Rregulloreve (ENER), ku të gjithë të interesuarit mund të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre. Teksti i është dërguar për mendim edhe Komisionit Evropian, së bashku me tabelat e përputhshmërisë në gjuhën maqedonase dhe angleze. Debatet profesionale do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim që të shqyrtohen propozimet dhe të përmirësohet teksti përfundimtar i Kodit.
REXHEP QAMILI
