Përplasje për Bankën ALTA në Kuvend, Siljanovska përballet me pyetjet e opozitës
Prezenca e presidentes së vendit...

Prezenca e presidentes së vendit, Gordana Siljanovska Davkova, në debatin mbikëqyrës të Komisionit për Financim dhe Buxhet në Kuvend, ku po diskutoheshin shkaqet për futjen e Bankës ALTA në vendin tonë dhe rolin dhe veprimi i Bankës Popullore ka ngritur në masë të madhe tensionin mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së. Fillimisht ishte presidentja e vendit, e cila theksoi se është e habitur se pse është ftuar në këtë debat.
“T’ju përkujtoj se erdha këtu më së shumti për shkak qytetarëve dhe për shkak respektit që kam ndaj këtij institucioni. Unë ju lus, se mua legjitimitetin nuk ma jep Parlamenti, por qytetarët, dhe kam fituar plot 560 mijë vota nga qytetarët, dhe kjo është ofendim për qytetarët, jo për mua.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Sonja Mirakovska nga LSDM-ja pyeti presidenten se a ka pasur presione nga kryeministri Mickoski për ta nominuar Sllavevskin për Guvernator, dhe cila ishte lidhja mes Macurës dhe Mickovskit.
“A kishit presion nga Mickoski që ta nominoni Trajko Sllavevskin për guvernator? A keni zgjedhur një Guvernator të pavarur apo një anëtar partiak? A thua vallë se nominimi i Sllavevskit ishte vetëm për shkak të lidhjes mes Vuçiqit dhe Macurës që Banka ALTA të futet në vendin tonë?”, - theksoi Sonja Mirakovska nga LSDM.
“Trijada Vuçiq, Siljanovska, Mickoski, unë vetëm mund të them se është diçka bizare, një dilemë bizare dhe ofenduese. Jam e shokuar si keni guxim të flisni në emrin e popullit, cili legjitimitet ua jep këtë të drejtë. Pastaj, si po ia mundësoni vetës të më parashtroni pyetje se si e kam zgjedhur Trajko Sllavevskin, po ju them e kam nominuar në bazë të ligjit.”, - u shpreh presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Por, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit tjetër nga LSDM-ja, Oliver Spasovski.
“Dua të reagoj sepse askush, përfshirë edhe presidenten e vendit, të sillet si tutor mbi Kuvendin, dhe të thirret në Legjitimitet, që po ashtu ka marrë legjitimitetin nga qytetarët.”, - deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.
Por, deputetja e AKI-së, Rina Ajdari, kërkoi që debati të mbahet rreth Bankës ALTA, edhe përskaj tentimeve të disa deputetëve, që këtë debat te defokusojnë.
“Mua më bën shumë përshtypje mënyra se si po tentohet të devijohet ky debat. Ne jemi mbledhur këtu për të diskutuar në lidhje me problemin e hapur tanimë të Bankës ALTA, dhe e shoh se ka një tendencë të defokusohet opinioni, ashtu siç u defokusua opinioni nga ana e kryeministrit dhe partisë në pushtet, duke shpalosur këtu dokumente të pavërteta dhe të falsifikuara.”, - theksoi Rina Ajdari nga AKI.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në vazhdim tha se kreu i shtetit nuk ka kompetencë ligjore në procedurat për lëshimin ose revokimin e licencave bankare, dhënien e pëlqimeve, kryerjen e mbikëqyrjes ose futjen e administrimit në një bankë, duke theksuar se të gjitha këto vendime janë në kompetencë të Bankës Kombëtare. Ajo theksoi se neni 85 i Kushtetutës parashikon që Parlamenti mund të kërkojë një mendim nga presidenti për një çështje brenda juridiksionit të tij, duke shtuar se nuk është e sigurt nëse është kompetente për këtë çështje në këtë fazë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
