Maqedonia po i realizon reformat, Mickoski shprehet optimist për integrimin e shpejtë evropian
Kryeministri Hristijan Mickoski shprehet optimist...

Kryeministri Hristijan Mickoski shprehet optimist se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian së shpejti mund të bëhet realitet. Sipas tij, Maqedonia e Veriut është vendi që po shënon rezultatet më të mira në realizimin e reformave në kuadër të procesit reformues për anëtarësim në BE.
Mickoski përsëriti qëndrimin e tij se rruga e Malit të Zi dhe Shqipërisë drejt integrimit evropian i ngjan një autobusi që vetëm lëkundet, pa bërë përparim të vërtetë. Kryeministri nuk komentoi deklaratën e drejtorit të Drejtorisë për Zgjerim të Komisionit Evropian, Gert Jan Kopman, i cili tha se bllokada nuk ndodhet në BE, por në Maqedoni.
“Ne jemi të fokusuar në atë që nënkupton përparimin përmes realizimit të reformave. Ndërsa çështjet dypalëshe, për fat të keq, janë një realitet që na e la Qeveria e mëparshme, por ne nuk refuzojmë të diskutojmë çështjet dypalëshe si pengesë në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Jemi të gatshëm që së bashku me Bashkimin Evropian dhe me ata që kanë çështje dypalëshe të pazgjidhura me ne, nëse është e nevojshme, të ulemi dhe të bisedojmë në çdo vend, në çdo kohë dhe për çdo temë. Por, për fat të keq, siç po shoh, nga pala tjetër nuk ka interes.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër, socialdemokratët, të cilët e akuzojnë Qeverinë për retorikë antievropiane dhe dështim në realizimin e reformave, thonë se qytetarët janë mashtruar edhe kur u është thënë se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë të rrezikuara.
Sipas tyre, tani mesazhe dhe pranime të tilla po vijnë edhe nga vetë përfaqësuesit e lartë të shtetit.
“Mickoski, ne nuk jemi të njëjtë. Derisa ti e gënjeje dhe, për fat të keq, e mashtroje popullin maqedonas, ne luftonim për Maqedoninë. Luftuam dhe arritëm të ruajmë gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas. Prandaj, ne nuk mund të jemi kurrë njësoj si ju.”, - theksoi Andrej Zhernovski nga LSDM.
Pas Samitit në Bruksel, në fokus do të jetë Samiti i Ohrit i Procesit të Bërdo-Brijunit, ku sërish pritet të diskutohen mundësitë dhe perspektivat e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
