Rreziku i humbjes së fondeve nga BE-ja, Haxhiu: Po përpiqemi maksimalisht që kjo të mos ndodhë

26.11.2026 15:10

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen...

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, ka paralajmëruar rishpërndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në favor të vendeve që kanë shënuar përparimin më të madh në zbatimin e agjendës së reformave.

Paratë që Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina i kanë humbur, për shkak të mospërmbushjes së reformave do t’i përfitojnë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi. Sa u përket parave që ka humbur Kosova, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, thotë se kjo ka ndodhur për shkak të bllokadave dyvjeçare politike dhe zgjedhjeve të përsëritura, të cilat, siç thotë ajo, kanë qenë të panevojshme.

“Ne kemi pasur dy vite bllokada. Fatkeqësisht, nuk kemi arritur që të shmangim zgjedhjet që i kemi pasur të panevojshme, të paktën dy prej tyre kanë qenë të panevojshme. Me këtë rast, sapo ne kemi konstituuar Kuvendin, kemi zgjedhur Qeverinë dhe kemi votuar presidenten e vendit, ne kemi vazhduar obligimet që dalin nga agjenda evropiane dhe nga Plani i Rritjes.”, - theksoi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Haxhiu thotë se aktualisht Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera po bëjnë përpjekje maksimale për të mos humbur fondet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Ajo ka bërë të ditur se Kuvendi ka dy obligime kryesore në kuadër të kësaj agjende, përkatësisht Komisionin për Ndihmë Shtetërore dhe Kodin Etik për deputetët, të cilat, sipas saj, janë adresuar me hapa të shpejtë. Ndërsa projektligjet e tjera që janë pjesë e agjendës legjislative, Qeveria ka premtuar adresimin e tyre, ndërsa një pjesë tashmë është proceduar dhe miratuar në Kuvend.

Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor ka vlerën prej gjashtë miliardë eurosh, prej të cilave dy miliardë janë paraparë si grande, ndërsa katër miliardë të tjera janë paraparë për kredi me kushte të favorshme.

Shpërndarja e mjeteve bëhet dy herë në vit dhe realizohen në bazë të reformave të realizuara që janë dakorduar paraprakisht ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit. (Gyltene Sinani, TVM2)