Princ Leka II vizitoi UT-në, apeloi për bashkim rreth interesave kombëtare

26.11.2026 15:26

Në kuadër të aktiviteteve për festat e Nëntorit, Universiteti i Tetovës...

Në kuadër të aktiviteteve për festat e Nëntorit, Universiteti i Tetovës ka mirëpritur Princin Leka II. Gjatë takimit me studentët dhe stafin akademik, në fokus të diskutimeve ishin identiteti kombëtar, të drejtat e shqiptarëve dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërshqiptar.

Princi Leka theksoi se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar sa herë që bëhet fjalë për interesat kombëtare. Ai u shpreh se në Maqedoninë e Veriut duhet të respektohet Marrëveshja e Ohrit dhe të mbrohen të drejtat e shqiptarëve.

“Patjetër që vizita ime vjen në një moment shumë kritik për gjuhën shqipe dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Unë kam një mesazh të vetëm: pavarësia nuk shpallet vetëm, por duhet edhe të mbrohet. Uroj që të respektohet e gjithë Marrëveshja e Ohrit dhe të sigurohet që studentët shqiptarë të ndihen krenarë për prejardhjen dhe historinë e tyre. Unë besoj se çdo forcë politike ka nevojë të mbrojë interesat e veta politike ditore, por kur vjen puna te interesat madhore, që janë interesa të përbashkëta të kombit shqiptar, duhet të flasim me një zë. Prishtina, së bashku me Tiranën dhe Shkupin, duhet të punojnë në interes të shtetformimit dhe të shtetndërtimit të vendit tonë.”, - deklaroi Princ Leka II.

Ahmeti: UT-ja organizoi aktivitete për festat e nëntorit

Ahmeti: UT-ja organizoi aktivitete për festat e nëntorit

“Këtë vit, edhe më 22 Nëntor, edhe më 28 Nëntor, organizuam aktivitete që ndërlidhen me identitetin tonë kombëtar dhe që mbahen në nder të këtyre festave. Këtë herë e pamë të udhës ta ftojmë dhe ta kemi Princ Lekën II, të cilin e falënderojmë për praninë e tij këtu, me qëllim që para studentëve dhe stafit akademik të prezantohet dhe të jetë bashkë me ne në këto ditë feste.”, - theksoi rektori i UT-së, Kushtrim Ahmeti.

Princ Leka II njëherësh theksoi se vepron në përputhje me statusin që i përcaktojnë ligjet e shtetit shqiptar, ndërsa shprehu gatishmërinë për të ndihmuar, në veçanti njerëzit në nevojë. (Visar Sadiki, TVM2)