Studentët me kërkesë: Shujta ushqimore të rritet në 180 denarë
Studentët kërkojnë që shujta ushqimore...

Studentët kërkojnë që shujta ushqimore e subvencionuar të rritet në 180 denarë në ditë, në të kundërtën, paralajmërojnë protesta. Kjo është kërkesa dhe paralajmërimi i përfaqësuesve studentorë, pas rezultateve të anketës online të organizuar nga Trupi Nacional Studentor.
Studentët vlerësojnë se shuma aktuale prej 140 denarësh nuk i përgjigjet më kostos reale të jetesës, pasi gjatë tre viteve të fundit nuk ka pasur rritje të subvencionit, ndërkohë që çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë janë rritur.
Angela Vasilevska, kryetare e Asamblesë Studentore Universitare të UKIM-it, deklaroi se studentët mbështesin rritjen e shumës mujore në 4.500 denarë, përkatësisht rreth 180 denarë në ditë.
“Studentët kanë kërkesa dhe kërkesa jonë është që të respektohet ligji, sepse drejtësia nuk njeh emocione. Studentët nuk janë mjaftueshëm të ngopur. Inflacioni nuk pret derisa sistemi të ndryshohet dhe as kërkesat e studentëve nuk mund të presin. Fillimisht, studentët kërkojnë që ligji të zbatohet. Drejtësia kërkon zbatimin e ligjeve dhe jo marrjen e vendimeve mbi bazën e emocioneve. Kërkesën tonë do t'ua dërgojmë organeve kompetente dhe presim që ajo të shqyrtohet brenda shtatë ditësh, ndërsa brenda 14 ditësh kalendarike të realizohet dhe të dëshmohet me vepra.”, - deklaroi kryetarja e Asamblesë Studentore, Angela Vasilevska.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit mbetet në qëndrimin se shuma ditore duhet të jetë 156 denarë, bazuar në përllogaritjet e inflacionit. Për këtë çështje, në Gjykatën Administrative janë ngritur edhe tri padi, ndërsa ministrja Janevska ka deklaruar se institucionet do të veprojnë në përputhje me vendimin e gjykatës.
Paralelisht, Qeveria po punon për një model të ri të subvencionimit, i cili parashikon përdorimin e një aplikacioni mobil dhe zbritje për blerjen e ushqimit. Kërkesa për rritjen e subvencionit ka filluar që në muajin shtator, kur shtatë asamble studentore universitare kërkuan rritjen e shumës nga 140 në 200 denarë në ditë.
Në tetor, platforma studentore “Studentaria” gjithashtu kërkoi rritje të subvencionit, ndërsa në nëntor çështja u diskutua edhe në Kuvend, ku amendamenti për 200 denarë nuk mori mbështetjen e nevojshme. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
