Tarifat e paligjshme të kredive të shpejta, 26 mijë qytetarë do të përfitojnë rimbursim
Më shumë se 26.000 qytetarëve të dëmtuar nga kreditë e shpejta...

Më shumë se 26.000 qytetarëve të dëmtuar nga kreditë e shpejta do t’u kthehen afro 2,3 milionë euro, pasi Inspektorati Shtetëror i Tregut konstatoi se tarifat për vërejtjet dhe njoftimet lidhur me shlyerjen me vonesë të kredive të shpejta ishin aplikuar në mënyrë të paligjshme.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vlatko Stojkoski, sqaroi se qytetarët nuk do të kenë nevojë të dorëzojnë kërkesa individuale për rimbursimin e mjeteve.
“Vlerësoj se mund të arrijmë sipas përllogaritjeve të mia në afër 200 milionë denarë që do t'u kthehen qytetarëve. Megjithatë, në këtë fazë, kemi një shifër të qartë prej mbi 140 milionë denarësh.”, - deklaroi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vlatko Stojkoski.
Kompanitë financiare janë të detyruara të kontaktojnë klientët e tyre dhe t'ua kthejnë shumat e mbledhura në mënyrë të paligjshme, ndërsa inspektorët do të monitorojnë zbatimin e këtyre vendimeve.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, paralajmëron se në rast mosrespektimi të vendimeve për kthimin e parave, institucionet do të veprojnë konform ligjit.
“Kontrollet do të vazhdojnë dhe në qoftë se do të ketë shoqëri të tilla që nuk do të respektojnë ligjet, ne ashtu siç jemi zotuar në fillim do të vazhdojmë deri në fund deri në mbylljen e të gjithë atyre që nuk i respektojnë ligjet dhe përfitojnë në kurriz të qytetarëve.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Emrat e kompanive financiare, te të cilat janë konstatuar parregullsi, ende nuk janë bërë të ditur, pasi, sipas autoriteteve, procedurat përkatëse dhe verifikimet e mëtejshme janë ende në zhvillim e sipër.
Ndryshe, inspektimet zbuluan se 18 kompani financiare kanë përdorur praktika të padrejta tregtare, ndërsa 12 kompani financiare kanë aplikuar tarifa për njoftimet dhe kujtesat lidhur me pagesat e vonuara të detyrimeve kreditore, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. (Sara Kajolli, TVM2)
