Rexhepi: Provimi i Jurisprudencës nuk ka nevojë për ligj

26.11.2026 20:17

Ligji për Jurisprudencën zuri vend në seancën kuvendore...

Ligji për Jurisprudencën zuri vend në seancën kuvendore kushtuar pyetjeve të deputetëve. Sipas deputetit Skender Rexhepi, edhe zgjidhja e ofruar nga Qeveria nuk i kënaq studentët shqiptarë.

Sipas tij, provimi i Jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë ligjore dhe kushtetuese, ndërsa me studentët po bëhet politikë ditore.

“Pse për provimin e Jurisprudencës ka nevojë për një ligj shtesë, cila është logjika, kur dihet qartë se neni 9 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, jep të drejtë që të përdoret dygjuhësia edhe në gjykatë edhe në prokurori. Pyetja ime e parë është se a do ta tërhiqni këtë propozim-ligj, dhe të lejoni që Ministria e Drejtësisë të bëjë punën në mënyrë të harmonizimit të ligjit përkatës, dhe provimi i Jurisprudencës të jetësohet në mënyrë të drejtë.”, - deklaroi deputeti i AKI-së, Skender Rexhepi – Zejdi.

Kryeministri Mickoski iu përgjigj Rexhepit, se aktualisht nuk është dorëzuar propozim-ligji në Kuvend, që të mund të tërhiqet.

“Së pari nuk kemi ligj, pra nuk është dorëzuar ligj që të mund ta tërheqim. Deri më tani kemi dorëzuar dhe kemi kërkuar nga Komisioni i Venecias vetëm mendim, dhe në bazë të mendimit, ndërtojmë ligjet. Por, në më shumë se 20 vite nuk kanë arritur të lëvizin asnjë pikë të kësaj çështjeje.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Rexhepi me kundërpërgjigje se nuk është dashur të kërkohet as mendim, e as të ketë ndonjë projektligj.

“Sa i përket Ligjit për Provimin e Jurisprudencës apo projektligjit, fare nuk është dashur të ketë projektligj, e jo ta dërgoni në Komisionin e Venecias, fare nuk është dashur. Me “lek specialist”, do të vinte, sikurse që erdhën dje, dolën partnerët e juaj të koalicionit e promovuan se të gjitha provimet profesionale do të mbahen në gjuhën shqipe pa pasur nevojë për asnjë ligj. Pse atëherë duhej që për Ligjin për Jurisprudencë të ketë nevojë për ligj.”, - u shpreh deputeti i AKI-së, Skender Rexhepi – Zejdi.

Mickoski: Pse Qeveria e kaluar nuk e zgjidhi këtë çështje

Por, kryeministri tha se deputeti Rexhepi dhe koalicioni i tij, nuk e zgjodhën këtë çështje deri sa ishin në pushtet. 

“Nuk dëgjova në fjalimin tuaj të thonit se pse ju nuk dhatë një “lek specialist të tillë”, pse pritet nga Qeveria, këtë mund ta bëni edhe ju. Pse ju kur ishit pjesë e Qeverisë nuk e zgjodhët këtë çështje, dhe sot ky “lek specialist” nuk do të ishte fare e nevojshme.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Mickoski: Me Kushtetutë, arsimi i lartë vetëm maqedonisht

Sipas kryeministrit në gjuhë të ndryshme, përpos maqedonishtes, mund të realizohet vetëm arsimi fillor dhe i mesëm, por jo edhe arsimi i lartë.

“Një gjuhë tjetër, përveç maqedonishtes, mund të kemi vetëm arsim fillor dhe të mesëm e jo edhe arsim të lartë, nëse e lexoni Kushtetutën. Meqë po thirreni në Kushtetutë, atëherë duhet të jemi preciz deri në fund kur flasim për diçka. Ajo që është sjellë ligj për arsimin e lartë në kundërshtim me Kushtetutën është temë tjetër. Nuk dua të futem në këtë që të mos hap diskutim tjetër.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Mickoski theksoi se në rrethanat aktuale me ligjin e paralajmëruar, ajo që synohet të realizohet është që t’u ndihmohet studentëve. (Fitim Kryeziu, TVM2)