Lufta në Ukrainë, sulme në terren, përpjekje për paqe

26.11.2026 20:30

Sulme të reja ruse me dronë...

Sulme të reja ruse me dronë kanë goditur sot qytetin ukrainas të Harkivit, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale. Të paktën tre persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë plagosur, njoftojnë autoritetet ukrainase. Në mesin e viktimave janë një grua 86-vjeçare dhe një çift bashkëshortor. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënojat e objekteve të goditura.

“Një nga dronët goditi një objekt banimi, ku ndodhemi tani. Sipas informacioneve paraprake, një grua 86-vjeçare ka humbur jetën. Ekipet e shpëtimit po kërkojnë trupin e saj. Dy persona të tjerë janë plagosur. Njëri prej tyre është nxjerrë i gjallë nga rrënojat dhe po merr ndihmë mjekësore.”, - deklaroi shefi i Departamentit për Situata Emergjente në Harkiv, Bohdan Hlladkih.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Tramp dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, pas takimit të mbrëmshëm në Florida, në një deklaratë të përbashkët kanë theksuar rëndësinë që Rusia të shmangë çdo veprim që, me ose pa qëllim, mund të çojë në zgjerimin e luftës, si dhe nevojën për arritjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje paqësore. Në një intervistë për Fox News, Rute deklaroi se humbjet ushtarake të Rusisë kanë arritur në nivele të papërballueshme.

“Shifrat më të fundit për muajin tetor tregojnë se mbi 50 mijë rusë janë vrarë ose plagosur rëndë. Nëse e krahasojmë këtë me luftën në Vietnam, Shtetet e Bashkuara tragjikisht humbën po aq njerëz në 14 vjet, ndërsa këtu bëhet fjalë për vetëm një muaj. Kjo është absolutisht e papërballueshme.”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.

Rutte nënvizoi se mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë, ndërsa përpjekjet diplomatike të presidentit amerikan i cilësoi si një test për gatishmërinë e Vladimir Putinit për t'u ulur në tryezën e negociatave.

Nga ana tjetër, Kremlini ka reaguar ndaj deklaratës së përbashkët të Trampit dhe Rutes, duke akuzuar Kievin për përpjekje për zgjerimin gjeografik të konfliktit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, njëkohësisht vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet ndërmjet presidentëve rus dhe amerikan.

“Është e vërtetë se presidenti Putin ka marrëdhënie shumë pragmatike, profesionale, madje edhe miqësore me presidentin Tramp. Kjo u mundëson atyre të diskutojnë çështjet më komplekse, për të cilat ka shumë mosmarrëveshje. Por, njëkohësisht, ka fusha të caktuara ku të dy krerët e shteteve ndajnë pikëpamje të ngjashme.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Në prag të dimrit, situata në Ukrainë po rëndohet edhe nga sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Autoritetet ukrainase raportojnë për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në shtatë rajone të vendit, ndërsa përpjekjet diplomatike ende nuk kanë rezultuar me një marrëveshje për armëpushim. (Ersan Pajaziti, TVM2)