Gjykata shqyrton Marrëveshjen për Kulturën, Kacarska ngre shqetësime për pagat në sektorin publik
Gjykata Kushtetuese sot ka shqyrtuar çështjen e kushtetutshmërisë...

Gjykata Kushtetuese sot ka shqyrtuar çështjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Marrëveshjes Kolektive për Kulturën, si dhe nenin 78- të Ligjit për Kulturën. Gjatë diskutimit në seancë, gjykatësja Dobrila Kacarska iu referua mendimit të Ministrisë së Financave, duke theksuar implikimet e mundshme që një marrëveshje e tillë mund të ketë për sistemin e pagave në sektorin publik.
Duke iu referuar këtij mendimi, Kacarska tha se marrëveshja mund të sjellë pabarazi ndërmjet punonjësve të kulturës dhe të punësuarve të tjerë në sektorin publik, si dhe të hapë mundësinë për kërkesa të ngjashme për rritje pagash edhe në veprimtari të tjera.
“Vetëm një pjesë do ta lexoj. Mendimi i cituar i Ministrisë së Financave qartë tregon implikimet sistemore mbi sektorin publik dhe se një marrëveshje e tillë kolektive do të çojë në pabarazi me punonjësit e tjerë të sektorit publik. Kjo do të nënkuptonte cenimin e sistemit të vendosur të pagave dhe, paramendoni, kolegë, çfarë do të pasonte: hapjen e mundësisë për kërkesa për rritje të pagave edhe në veprimtaritë e tjera. Mendoj se nuk ka më nevojë të diskutoj.”, - deklaroi gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska.
Marrëveshja Kolektive për Kulturën prek të drejtat e punës së rreth 2.345 të të punësuarve në 123 institucione kulturore në vend. Shqyrtimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese ka nxitur reagime të shumta dhe protesta nga punonjësit e kulturës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
