Kumanovë dhe Likovë, 28 Nëntori festohet me këngë, valle dhe recitime
Në një atmosferë festive, me këngë, valle dhe recitime patriotike...

Në një atmosferë festive, me këngë, valle dhe recitime patriotike, shkollat fillore dhe të mesme në rajonin e Kumanovës dhe Likovës kanë shënuar 28 Nëntorin. Me këtë rast, në Shkollat Fillore Komunale “Bajram Shabani” dhe “Naim Frashëri” në Kumanovë, nxënësit kanë prezantuar programe të pasura kulturore dhe artistike, duke përcjellë mesazhe patriotike dhe duke shpalosur talentin e tyre para prindërve dhe stafit shkollor.
Programet festive u karakterizuan nga interpretimet muzikore, vallet tradicionale shqiptare dhe recitimet kushtuar historisë, flamurit dhe figurave kombëtare, duke krijuar një atmosferë të veçantë në prag të festës së 28 Nëntorit.
"Si institucion arsimor kemi përgjegjësi që këto vlera t’ua përcjellim brezave të rinj duke i edukuar me dije, respekt dhe dashuri për atdheun. Të dashur nxënës, ju jeni e ardhmja jonë me dijen, punën dhe sukseset tuaja. Nderoni historinë dhe ndërtoni të ardhmen!", - deklaroi drejtori i ShFK “Bajram Shabani” – Kumanovë, Fatmir Ebibi.
"Jemi në vazhdën e aktiviteteve me rastin e muajit nëntor, ku ne si shkollë kemi organizuar edhe aktivitete të ndryshme, duke përfaqësuar shkollën në gara komunale, gara republikane, po ashtu kishim edhe aktivitetet tona shkollore. Duhet të potencoj aktivin e klasave të ulëta, të cilët me rastin e 22 Nëntorit - Ditës së Alfabetit, organizuan një program cilësor, ku shfrytëzoj rastin t’ju përcjell një mirënjohje të posaçme të gjitha aktiveve të klasave të ulëta.", - theksoi drejtori i ShFK “Naim Frashëri” – Kumanovë, Muhamet Zeqiri.
Ndërkohë, aktivitetet festive do të vazhdojnë edhe nesër, më 28 Nëntor. Në Pallatin e Kulturës në Kumanovë është paraparë të mbahet një koncert festiv, ku do të paraqiten Ansambli Artistik “Bajram Shabani” nga Kumanova dhe Ansambli Artistik “Jeta e Re“ nga fshati Sllupçan. Para koncertit, në të njëjtin aktivitet është planifikuar edhe hapja e një ekspozite kushtuar Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Përmes këtyre aktiviteteve kulturore dhe artistike, shqiptarët e Kumanovës dhe Likovës vazhdojnë të ruajnë dhe kultivojnë traditën, kulturën dhe vlerat kombëtare, duke përcjellë frymën festive edhe te brezat e rinj. (Fatlum Aqifi, TVM2)
