Zelenski kritikon Trampin: Putini është agresor dhe vrasës, nuk mund të jetë mik
Marrëdhëniet e Donald Trampit me Vladimir Putinin...

Marrëdhëniet e Donald Trampit me Vladimir Putinin, mungesa e raketave amerikane për Ukrainën dhe kundërshtimi i disa vendeve evropiane për financimin e Kievit po nxjerrin në pah dallimet mes aleatëve perëndimorë për luftën në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski kritikoi fotografinë e publikuar nga Trampi, ku ky i fundit përqafon presidentin rus dhe e quan mik.
“Është e çuditshme. Ai është agresor dhe vrasës. Nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mundet. Është njësoj sikur dikush të thoshte gjatë Luftës së Dytë Botërore se Hitleri ishte mik i mirë. Jo!”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Në një intervistë, ai paralajmëroi mungesën e raketave kundërbalistike dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, duke theksuar se angazhimi amerikan në Lindjen e Mesme po ndikon në furnizimet për Ukrainën dhe po kushton jetë njerëzish.
Ndërkohë, Donald Trampi vlerësoi rëndësinë e Jensen Huang për “Nvidian”, duke e cilësuar rikthimin e tij në drejtimin e kompanisë si zhvillim pozitiv për ShBA-në.
“Mendoj se ai është një pjesë shumë e rëndësishme e “Nvidias”. Ai është një njeri i jashtëzakonshëm. Mendoj se është një gjë e shkëlqyer që po kthehet. Tregu ndihet shumë mirë për këtë. Mendoj se bëra një gjë të shkëlqyer për vendin tonë dhe madje edhe për botën.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Ukraina kërkon mbështetje ndërkombëtare për programin humanitar “Food from Ukraine”, për të cilin janë siguruar mbi 80 milionë dollarë dhe përmes të cilit janë dërguar qindra mijëra tonë ushqime në Jemen, Etiopi, Sudan dhe Siri. Kievi kërkon vazhdimin e presionit ndaj Moskës, duke theksuar pasojat e luftës në sigurinë ushqimore globale.
Ndërkohë, Sllovakia, përmes kryeministrit Robert Fiço, konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në kredinë prej 45 miliardë eurosh që BE-ja planifikon për Ukrainën në vitin 2027.
“Zgjidhja e vetme e mundshme është bashkëpunimi i përforcuar. Ky është një mekanizëm i paraparë në traktatet e Bashkimit Evropian dhe na lejon të mos marrim pjesë në këtë kredi. Sllovakia nuk ka interes të jetë pjesë e saj.”, - theksoi kryeministri i Sllovakisë, Robert Fiço.
Fiço bëri të ditur se edhe Hungaria dhe Çekia ndajnë qëndrimin e Sllovakisë për të mos marrë pjesë në kredinë prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, por theksoi se Bratislava nuk do të pengojë vendet e tjera të kontribuojnë.
Diskutimet për financimin pritet të vazhdojnë në samitin e dhjetorit të Këshillit Evropian, ndërsa Ukraina vazhdon të kërkojë mbështetje ushtarake dhe financiare përballë luftës. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
