Kulturë
Festat e Nëntorit, Rona Nishliu performon në Shkup
28.11.2026 13:27
Koncerti, i organizuar nga Komuna e Çairit, kishte në qendër trashëgiminë muzikore shqiptare....

Në kuadër të shënimit të Festave të Nëntorit, në Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut, u mbajt koncerti i këngëtares së njohur shqiptare Rona Nishliu, e shoqëruar nga “The New Orchestra”, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani. Koncerti, i organizuar nga Komuna e Çairit, kishte në qendër trashëgiminë muzikore shqiptare. Nëpërmjet këtij projekti artistik, Rona Nishliu dhe orkestra synojnë të sjellin në skenë pasurinë muzikore të trevave shqiptare. Duke iu drejtuar publikut, artistja shprehu kënaqësinë që këtë projekt e prezantoi në Shkup, pikërisht në prag të 28 Nëntorit.
“Është kënaqësi shumë e madhe t'jemi bashkë sot. Faleminderit për prezencën tuaj. Gëzuar festat e nëntorit, festat e zemrës, e zemrave tona. Pritshim dhe shumë të tjera, qofshim çdo ditë më të mirë dhe më të denjë si shqiptarë këtu. Është një privilegj që jemi në këtë sallë me mbështetjen e Komunës së Çairit, në kujdesin e veçantë të kryetarit Izet Mexhiti, të cilin e falënderojmë përzemërsisht, me një kujdes të veçantë të gjithë stafit të komunës, të cilët ishin të jashtëzakonshëm për të ndarë një projekt që e kemi shumë për zemër. Mendojmë të shpalosim trashëgiminë muzikore shqiptare të të gjitha trevave të banuara me shqiptarë, me një format dinjitoz.”, u shpreh këngëtarja Rona Nishliu.
Mbrëmja muzikore, e cila ishte e hapur për publikun pa pagesë, ishte pjesë e programit të aktiviteteve kulturore që Komuna e Çairit organizoi me rastin e festave kombëtare shqiptare.
ARDITA IMERI
