Shqiptarët festojnë Ditën e Flamurit, festë në të gjitha vendbanimet shqiptare

28.11.2026 16:26

Sheshi “Skënderbeu” në Shkup sot është kthyer në një pikëtakim të madh të shqiptarëve...

Sheshi “Skënderbeu” në Shkup sot është kthyer në një pikëtakim të madh të shqiptarëve, ku mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut dhe trevat e tjera shqiptare janë mbledhur për të festuar 114-vjetorin mëvetësisë së shtetit shqiptar. Nën ngjyrat kuqezi, me flamuj kombëtarë dhe emocione të shumta, atmosfera festive ka bashkuar shqiptarët në një festë të identitetit dhe krenarisë kombëtare. Mesazhi që përcillet nga ky shesh është i qartë: pavarësisht kufijve shtetërorë, gjuha, flamuri dhe identiteti kombëtar mbeten ura që na bashkojnë. Sot, Sheshi “Skënderbeu” nuk është vetëm një hapësirë koncerti ku performon këngëtarja Edona Llalloshi. Është një vendtakim i shqiptarëve, aty ku festa, krenaria dhe dashuria për kombin bëhen një!
 
“Nëntori dhe festa e 28 Nëntorit janë më shumë se data në kalendar. Ato janë më shumë se ngjarje në histori në të vërtetë. Ato duhet të jenë udhërrëfyesi ynë si të vazhdojmë rrugëtimin e atyre që sakrifikuan shumë edhe me 22 edhe me 28 Nëntor. Dhe në të vërtetë respekti dhe nderi më i madh që mund t'ua bëjmë atyre është që ne ta vazhdojmë këtë rrugëtim në mënyrë të denjë, me zell dhe përkushtim për ta ecur përpara kombin tonë dhe për ta ecur përpara shoqërinë tonë në përgjithësi. Dhe uroj që secili prej nesh, aty ku jemi, i madh e i vogël, të kontribuojmë në këtë drejtim me nder dhe me shumë përkushtim.”, u shpreh Muhamed Mutezi, këshilltar në Komunën e Çairit.
 
“Cili është mesazhi juaj për 28 Nëntorin? Mirësi, bashkëpunim edhe dashuri mes njerëzve, me respektu njëri-tjetrin.”, u shpreh një qytetare.
 
“Mesazhi im për shqiptarët, që të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës të cilët jetojnë, pra ta festojnë festën e 28 Nëntorit, pra ditën e flamurit kuqezi.”, u shpreh një qytetar.
 
“Gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës ku e festojnë këtë, për ta japim mesazhin. Shumë rëndësi është, shumë e mirë me thënë. Jemi krenarë me këtë festë që jemi duke festuar.”, tha një qytetar.
 
“Shqiptarët janë mbarë të bashkuar, mbarë të modifikuar janë edhe pse jemi ndarë me shtete, por jemi bashkë me zemër. Dhe gjithë shqiptarëve u uroj festën e flamurit pavarësisht se ku janë.”, u shpreh një qytetar.
 
Ky është koncerti përmbyllës i manifestimit festiv të organizuar nga Komuna e Çairit, i cili nisi më 22 nëntor, në shenjë të përkujtimit të Kongresit të Manastirit, dhe kulmon sot, më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU