Shqiptarët festojnë Ditën e Flamurit, krerët e shtetit Shqiptar dhe Kosovës, bashkë

28.11.2026 16:27

Shqiptarët në mbarë botën festojnë ditën e flamurit dhe ditën e pavarësisë së Shqipërisë....

Shqiptarët në mbarë botën festojnë ditën e flamurit dhe ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit në Sheshin e Flamurit, në nderim të aktit historik të 28 Nëntorit 1912 u zhvillua në qytetin e Vlorës. Në ceremoni morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula. 

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nga Vlora. Përmes një postimi në Facebook, Begaj ka përcjellë urimet për këtë festë, duke theksuar krenarinë për historinë kombëtare dhe rëndësinë e unitetit për të ardhmen e vendit.
 
“Me krenari për historinë tonë, me dashuri për atdheun dhe besim në forcën e unitetit, le ta bëjmë këtë moment historik një mundësi për më shumë zhvillim, përparim dhe shpresë në të ardhmen e vendit tonë.”, - ka shkruar Begaj.
 
Edhe Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka uruar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
 
Në mesazhin e saj, ajo ka kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi.
 
“Kjo ditë përfaqëson historinë, krenarinë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, ndërsa flamuri me shqiponjën dykrenare i bashkon ata përtej kufijve shtetërorë.”, – thotë Shiroka Pula në urimin e saj.
 
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, krerët e shtetit shqiptar dhe ato të shtetit të Kosovës vendosën kurora me lule dhe u përkulën me respekt pranë monumentit simbol të kurorëzimit të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, si homazh në këtë ditë të rëndësishme kujtese mbarëkombëtare. 
 
Ceremonia në Vlorë është një nga momentet kryesore të festimeve të 28 Nëntorit, datë që shënoi një kthesë historike për kombin shqiptar. Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali dhe përfaqësuesit e trevave shqiptare shpallën Pavarësinë, duke hedhur themelet e shtetit të pavarur shqiptar. 114-vjetori i kësaj ngjarjeje kremtohet me aktivitete dhe ceremoni në të gjithë vendet ku jetojnë shqiptarë, ndërsa Vlora mbetet qendra e festimeve dhe simboli i Pavarësisë shqiptare.
 
FITIM KRYEZIU