Kumanovë, me koncert festiv shënohet 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar
Me një koncert festiv, të organizuar në Pallatin e Kulturës në Kumanovë, është shënuar 28 Nëntori...

Me një koncert festiv, të organizuar në Pallatin e Kulturës në Kumanovë, është shënuar 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata „Java Kulturore Shqiptare“, ndërsa programit festiv i parapriu një ekspozitë, për të vazhduar më pas me koncertin artistik, ku u ndërthurën kënga dhe vallja tradicionale shqiptare.
"Prania e delegacionit qeveritar dhe përfaqësuesve institucional në këtë manifestim i jep këtij tubimi një dimenzion të vecantë sespe festa kombëtare është mbi cdo dallim politik e partiak", tha mes tjerash Agim Behluli nga shoqata "Java Kulturore Shqiptare" -Kumanovë.
“Jemi mbledhur në Kumanovë për të përmbyllur bashkë festën e 28 Nëntorit. Kur flasim për 28 Nëntorin mendja na shkon te flamuri që u ngrit në Vlorë, edhe këtu në Kumanovë kemi një pjesë të historisë së atij viti për të treguar. Në verën e vitit 1912 pak muaj para shpalljes së Pacarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e kësaj treve u përfshinë në kryengritjen e përgjithshme shqiptare. Gati një shekulli më vonë emri i Kumanovës do të zinte vend edhe në historinë e Kosovës, me 9 qershor 1999, pikërisht këtu u nënshkrua marrëveshja që përcaktoi tërheqjen e forcave policore serbe nga Kosova dhe i hapi rrugë përfundimit të luftës”, theksoi para të pranishmëve, Izet Mexhiti, bashk-kryetar i VLEN.
Ndërkohë, në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit, me iniciativën e grupit të këshilltarëve komunalë shqiptarë në Kumanovë nga rradhët e VLEN, në objektin e Komunës së Kumanovës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar, si shenjë respekti dhe nderimi për këtë datë të rëndësishme të historisë kombëtare. Këto aktivitete i dhanë Kumanovës një atmosferë të veçantë festive, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë që ka 28 Nëntori për shqiptarët, kudo që jetojnë.
FATLUM AQIFI
