Rajon

Përfundon protesta e opozitës në Tiranë, 48 persona kanë marrë ndihmë mjekësore

28.11.2026 23:55

Sipas bilancit të fundit, 48 persona kanë marrë ndihmë mjekësore...

Protesta e opozitës në Tiranë përfundoi pas rreth dhjetë orë tensione dhe përplasjesh ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit. Sipas bilancit të fundit, 48 persona kanë marrë ndihmë mjekësore.

Protesta, e cila nisi në orën 10:00 të paradites, u shoqërua me hedhje molotovësh, fishekzjarrësh dhe sendesh të forta në drejtim të policisë dhe institucioneve shtetërore. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve.

Gjatë përplasjeve, një autobot i policisë u përfshi nga flakët, ndërsa u regjistruan dëmtime të disa godinave institucionale dhe shoqërime të protestuesve. Tensionet u përqendruan kryesisht pranë Kryeministrisë dhe në sheshin “Skënderbej”.

Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 36 persona, mes tyre 12 efektivë policie, 14 protestues, gjashtë gazetarë dhe katër kalimtarë. Pesë prej tyre vijojnë të jenë të shtruar në spital.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë marrë ndihmë mjekësore 11 persona, mes tyre tetë efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet.

Protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje.

Pas përfundimit të protestës, në orët e mbrëmjes, në sheshin “Nënë Tereza” dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u rikthye atmosfera festive. Qytetarët me automjete të zbukuruara me flamuj kuqezi dhe duke u rënë borive vijuan festimet për 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.