ISIS sulmon Kobanen, forcat kurde po i afrohen Raqasë
Disa muaj pasi u çlirua në vazhdën e një beteje të gjatë e të mundimshme, qyteti sirian i Kobanes rrezikon rikthimin nën darën e terrorit të “Shtetit Islamik”...

Luftëtarët e ISIS-it raportohen të kenë hyrë sërish në qytetin kufitar me Turqinë.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut flet për disa të vrarë nga përplasjet e armatosura në zemër të Kobanes. ISIS, sipas drejtorit të kësaj organizate, Rami Abdel Rahman, fillimisht dërgoi një kamikaz pranë një pike kufitare me Turqinë.
Pas kësaj, përleshje të dhunshme shpërthyen në qendrën e qytetit, ku dergjen nëpër rrugë trupa të pajetë. Të shtënat kanë vazhduar përgjatë gjithë mëngjesit të sotëm. Burimet spitalore e vendosin bilancin e vdekjeve në 12, ndërsa mbi 70 vetë kanë mbetur të plagosur.
Nuk dihet me siguri se sa njerëz jetojnë aktualisht në Kobane. Qyteti dhe fshatrat përreth tij numëronin rreth 400 mijë banorë, shumica kurdë.
Por, kur ISIS ndërmori ofensivën e tij në shtatorin e vitit 2014, mbi 100 mijë vetë morën arratinë drejt Turqisë, e mbase të tjerë kanë pasuar më vonë.
