Kriza e emigrantëve, liderët e BE-së bien dakord për shpërndarjen e tyre
Kriza e emigrantëve në detin Mesdhe duket se po gjen zgjidhje sidomos pas kërcënimeve të Italisë për reagim të ashpër, që në rast se nuk arrihet një marrëveshje, do të kalojë në planin B, që është lëshimi i vizave të përkohshme, të cilat do t’u lejonin emigrantëve të udhëtojnë lirshëm, falë rregullave të “Schengen”-it në vende të tjera evropiane përtej Italisë. Dhe ky kërcënim dha rezultat...

Liderët e BE-së më në fund ranë dakord për të përshpejtuar zhvendosjen e mijëra emigrantëve të ardhur në Itali dhe në Greqi. Kreu i samitit, Donald Tusk, tha se 40 mijë emigrantë do të shpërndahen në shtete të tjera të BE-së gjatë dy viteve të ardhshme.
Të paktën 153 mijë emigrantë janë përpjekur për të hyrë në shtetet e BE-së vetëm gjatë këtij viti, një rritje prej 149% krahasuar me një vit më parë. Ngërçi i krijuar sidomos muajt e fundit i ka vënë në vështirësi të mëdha autoritetet e Italisë, Greqisë dhe Maltës, 3 vendet e përballura me valën e parë të klandestinëve të mbërritur nga Afrika veriore.
