Botë

Kuvendi i Kosovës, debat me tone të ashpra rreth Gjykatës Speciale

26.06.2015 18:37

Propozim-amendamenti i 24-tër për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, të propozuar nga qeveria...

Propozim-amendamenti i 24-tër për ndryshimin e Kushtetutës së  Kosovës, të propozuar nga qeveria, me qëllim të themelimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte, ka rritur tensionet brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës.
 
Opozita dhe shoqatat e dala nga lufta kanë kundërshtuar miratimin e një vendimi të tillë. Por, propozimi i paraqitur nga qeveria u mbështet nga dy partitë e koalicionit qeveritarë, PDK dhe LDK. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, qëndrimin pro e mbështeti me vlerësimin se deputetët i kanë dy mundësi para vetes, të themelojnë vetë këtë gjykatë, apo që çështjen ta lënë në duar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.                                                          
“Dëshiroj të potencoj, për të pastruar luftën tonë dhe për të dëshmuar se ne nuk kemi asgjë që të fshehim, dhe për ta ruajtur aleancën historike dhe strategjike me partnerët tanë, SHBA-të, BE-në dhe NATO-n, ne duhet të themelojmë këtë institucion të pavarur dhe ndërkombëtar”- tha kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.
 
Por, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, paraqiti qëndrim krejtësisht të kundërt. Kjo gjykatë paraqet një monstrum ligjor, i cili po i ofrohet Kosovës, tha Haradinaj.
 
“Një gjykatë e këtillë për Kosovën, pa marrë parasysh si mundohen ta shpjegojnë, pa marr parasysh nga çka nisemi ne, kujt ia kemi inati, njëri-tjetrit, dhe sa kemi qejf me pa ne njërin në ferr prej atyre që munden me qenë subjekt i kësaj, mos harroni se ferrin ia sjellim Kosovës, jo atyre njerëzve, pse e sjellë ferrin, për një kohë të gjatë Kosova do ta bën lajmin, jo të mediave kombëtare por ndërkombëtare, të monstrumit të atyre që janë monstrum, të popullit të njerëzve të vendit, të shtetit, të simboleve monstrum, gjithkund në botë do të trajtohet si monstrum-Kosova”- u shpreh Ramush Haradinaj nga AAK. 
 
Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se po tentohet të krijohet baza kushtetuese për të themeluar një sistem paralel të drejtësisë.
 
“Kjo dispozitë përjashton organin kryesor, Kuvendin e Kosovës, që ka për kompetencë sovranitetin e jashtëm”- tha Ymeri.
 
Ndërsa Fatmir Limaj nga Nisma tha se me këtë gjykatë po suprimohet kushtetuta dhe se nga themelimi i kësaj gjykate asgjë më nuk do të jetë njësoj.
 
Derisa zhvillohej debate në Kuvend, shoqatat e dala nga lufta me mbështetje edhe të opozitës po protestonin kundër themelimit të Gjykatës Special, duke kërkuar nga deputetët që të mos e miratojnë një vendim të tillë. 
 
GYLTENE SINANI