Kërcënimet ruse, Pentagoni: Moska “po luan me zjarrin”
Zëvendëssekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Robert Vork, thotë se “Rusia po luan me zjarrin” kur kërcënon fqinjët e saj me përdorimin e armëve bërthamore, e “në fakt kjo është një përpjekje e dështuar...

Vork tha se Moska vazhdon të shkelë marrëveshjet ndërkombëtare bërthamore, që ndalojnë raketat balistike me rreze nga 500 deri në 5500 kilometra.
Ai shtoi se Pentagoni po shqyrton mundësinë për t’iu përgjigjur shkeljeve të traktateve dhe nuk do ta lë Rusinë “të fitojë terren nëpërmjet këtyre shkeljeve”.
“Reuters” raporton se Shtetet e Bashkuara janë gati të nisin modernizimin e forcës së plakur bërthamore, duke përfshirë armë, nëndetëse, bombardues dhe raketa balistike. Ky është një projekt afatgjatë dhe me kosto të madhe.
Shtetet e Bashkuara njoftuan planet gjatë kësaj jave për të stacionuar tanke dhe armatime të rënda në vendet anëtare të NATO-s përgjatë kufirit me Rusinë, vetëm pak kohë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska do të shtonte 40 raketa të reja ndërkontinentale në arsenalin e saj bërthamor.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për reporterët në fillim të një takimi të ministrave të Mbrojtjes së Aleancës tha se “vendet e NATO-s nuk do të përfshihen në një garë armatimesh, por do të sigurojmë mbrojtjen e vendeve tona”.
