Nënë Tereza-35 vjet, “Qytetare nderi e Shkupit”: Kryeqendra “harron” të shënojë këtë përvjetor
35 vjet më parë, më 26 qershor, vetëm 6 muaj pas marrjes së çmimin Nobel për Paqe, Nënë Tereza u shpall qytetare nderi e Shkupit, një mirënjohje e dhënë nga qyteti i saj i lindjes për të gjitha veprat saja humane për më të varfrit e botës...

35 vjet më vonë, Shkupi e harroi këtë përvjetor. Asnjë manifestim i vogël përkujtimi nuk u mbajt në këtë ditë.
Sereqi: Shqiptarët katolikë në Maqedoni, të harruar
“Më 26 qershor, në meshën në kishën katolike 5 mijë njerëz bllokuan rrugën e Bit Pazarit, nga Shkupi, Kosova, Kroacia e më gjerë. Aty u vërejt uniteti i njerëzve që e adhuronin Nënën Terezë, kishte njerëz nga të gjitha konfesionet. Më pas, në Kuvendin e qytetit të Shkupit iu dorëzua edhe titulli ‘Qytetare nderi’ e Shkupit” - deklaroi kronisti i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, Anton Sereqi.
Për Sereqin është e pakuptueshme edhe vendimi i qeverisë për ngritjen e një shtatoreje të Nënë Terezës në qendër të Shkupit, në një kohë kur nuk po përkujdeset sa duhet edhe për shtatoren dhe shtëpinë aktuale të ngritur për nder të saj.
“Vetëm 4 hapa nga shtatorja e Nënë Terezës është ngritur një qebaptore. Është e pakuptueshme, është ofenduese për vetë qytetarët e Shkupit, për besimtarët, për të gjithë ne, sepse turistët kur vijnë në Shkup vijnë për Nënë Terezën”- tha Sereqi.
Por, Maqedonia nuk harroi sot vetëm këtë përvjetor, që ndoshta nuk ishte edhe aq i rëndësishëm për shoqatat qytetare apo politikanët. Maqedonia po harron edhe komunitetin e vogël të shqiptarëve katolikë, që me shekuj ruajtën fenë dhe gjuhën e të parëve edhe përkundër vështirësive të shumta.
“Edhe vetë fakti që askush nuk ishte i interesuar, përveç televizionit tuaj, ndërlidhet edhe me pozitën në të cilën gjenden shqiptarët katolikë në Maqedoni. Për fat të keq, ne shqiptarët katolikë nuk kemi as prift shqiptar. Mesha në kishën e Nënës Terezë, në kishën e Pjetër Bogdanit, të Lazër Mjedës e Dom Gaspër Gjinit mbahet në kroatisht e maqedonisht, e asnjë fjalë nuk thuhet shqip”- theksoi Sereqi.
5 shtatori, data kur Nëna Terezë ndërroi jetë, u shpall nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, në përkujtim të shqiptares që i dha aq shumë botës, në përkujtim të nënës që Shkupi i saj i lindjes ia harroi ditën kur vetë e shpalli “Qytetare nderi”...
Ajo u lut në shqip që Zoti të na bekojë të gjithëve. Shqiptarja me zemër aq të madhe sa që i zinte brenda saj të gjithë të varfrit e botës, mbase ka zemër të na e falë edhe ne këtë harresë që i bëmë sot. (Migena Gorenca, TVM2)
