Robert Llidëll: Të sigurohet trajtim adekuat për emigrantët

26.06.2015 14:48

Emigrantët janë qenie njerëzore, kanë të drejta dhe trajtimi i tyre në çdo shtet duhet të jetë sipas standardeve evropiane...

Është e nevojshme që të gjitha vendet të sigurojnë mbijetesë, transit, t’i procedojnë dhe regjistrojnë. Përveç sjelljes së ligjeve, është i nevojshëm edhe buxhet për përkujdesjen e tyre.

Këtë e theksoi zëvendësshefi i Misionit të BE-së, Robert Llidëll, në punëtorinë për gjendjen dhe sfidat e emigrantëve ilegalë dhe kërkuesve të azilit.

“Mund të themi se njerëzit që tranzitojnë legalisht dhe në afat të mesëm qëndrojnë, duhet të procedohen në mënyrë adekuate dhe të plotësohen nevojat e tyre. Kjo do të thotë jo vetëm të miratohen ligje, por edhe buxhete, personel dhe hapësirë”- deklaroi zëvendësshefi i Misionit të BE-së, Robert Llidëll.

Avokati i popullit të Austrisë, Piter Kastner, tha se fluksi i emigrantëve paraqet sfidë të madhe për Bashkimin Evropian, ndërsa ngritja e mureve për të penguar emigrantët nuk është zgjidhje e problemit. Edhe në Austri qendrat për të huaj janë të stërngarkuara, disa rrinë në tenda,të tjerë në qiell të hapur, njoftoi Kastner.

“Nuk është zgjidhje të ngritën muret, sepse ngritja e tyre nuk do të zgjidhë problemin, ky është problem i BE-së dhe si i tillë ne duhet bashkërisht të veprojmë. Duhet të pranojmë problemin se në Evropë po arrijnë emigrantët, ne duhet t’i hapim kufijtë dhe shtetet tona, dhe të ju ndihmojmë të gjithë refugjatëve dhe të garantojmë se këtyre njerëzve do t’i sigurohen kushte njerëzore dhe procedura për azilkërkuesit, në kohë të shkurtër do të zgjidhet kjo çështje”- tha avokati i popullit në Austri, Piter Kastner.    

Avokati i popullit të Sllovenisë theksoi se duhet bërë dallimi mes qendrave për të huaj dhe burgjeve, pasi emigrantët nuk janë kriminelë. Në Slloveni për momentin nuk ka shumë emigrantë, por gjendja atje është shumë e mirë.

“Duhet të bëhet dallimi mes këtyre institucioneve dhe burgjeve, sepse qendra për të huaj nuk është burg, atje ka njerëz që nuk janë kriminelë, ata janë njerëz që kanë ardhur me tjetër arsye dhe jo të shkaktojnë vepra kriminele. Sllovenia tani po përgatitet të pranojë më shumë nga këta njerëz dhe ajo do të varet nga marrëveshja me Bashkimin Evropian”- theksoi zëvendësavokati i popullit në Slloveni, Ivan Shellih.

Avokati i popullit të Maqedonisë, Ixhet Memeti, përsëriti se është më se i rëndësishëm roli i institucioneve shtetërore, trupave ndërkombëtarë dhe sektorit civil për arritjen e qëllimit dhe qasjes humane ndaj emigrantëve të cilët ilegalisht hynë në Maqedoni apo janë kërkues të azilit.

Ndryshe, dje udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë pajtuar për strehimin e dhjetëra-mijëra emigrantëve, të cilët kanë arritur në Itali dhe Greqi, një hap që pritet të ndikojë për lehtësimin e krizës së emigrantëve edhe në Maqedoni. Kryesuesi i samitit, Donald Tusk, ka thënë se 40,000 emigrantë do të vendosen nëpër shtete të tjera të BE-së në dy vitet e ardhshme. Megjithatë, nuk do të ketë kuota të detyrueshme për asnjë vend. (Florije Kamberi, TVM2)