Maqedoni
Rrjetet sociale rrisin ndikimin, Ali Pajaziti: kujdes nga efektet negative
26.06.2015 15:22
Rrjetet sociale çdo ditë e më shumë po rrisin ndikimin e tyre në shoqëri...

Thuajse çdonjëri nga ne ka një llogari në Facebook, Twitter apo Instagram, në të cilin shpërndan foto apo informacione personale.
Me anë të tyre qytetarëve u mundësohet që të lidhen me njerëz në katër anët e botës dhe të pasurohen me informacione më të reja.
Mediat sociale tashmë janë shndërruar në hapësira reale të opinionbëries.
Kushdo nga ne që ka një opinion apo mendim të tij mund ta shprehë nëpërmjet rrjeteve sociale.
Kjo bën që nëpër media të mund të shpërndahen dezinformata, por në shumë raste rrjetet sociale mund të shndërrohen edhe në një burim konfliktesh.
Por, sipas profesorit të sociologjisë, Ali Pajazitit, rrjetet sociale, krahas të mirave, kanë edhe efektet negative, si lidhja me njerëz të panjohur, largimi nga bota reale, si dhe shpërndarja e informacioneve të rrejshme.
Sociologu Pajaziti theksoi se një postim nëpër rrjete sociale në disa raste ka bërë që të ngrit ndonjë konflikt apo edhe një revolucion.
“Përmes internetit, përmes këtij rrjeti magjik, njerëzit e kanë një mundësi që të thonë fjalë, të bëjnë atak ose të sulmojnë një individ, një grupim të caktuar dhe kjo të ketë pastaj domino-efektin e vet, të fillojë pra nga një postim, ose nga një cicërimë në Twitter dhe pastaj të ketë repurksione sociale. Merrni si shembull revolucionin në tokat arabe, e cila mes tjerash është quajtur si “Facebook revolution”, ose Twittet në rastin “Gezi” në Stamboll, pra gjithçka zhvillohej në rrjetet sociale”- deklaroi sociologu, Ali Pajaziti.
Shoqata e Internetit e Maqedonisë ditën e sotme e ka shpallur si Ditën e Mediave Sociale, që ka për qëllim afirmimin e përdorimit të mediave sociale.
ERSAN PAJAZITI
