Maqedoni
USHT, konferencë shkencore ndërkombëtare
26.06.2015 16:00
Në UShT po mbahet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temë “Autonomia universitare dhe vlera e saj për shoqërinë”...

Konferenca është bashkëorganizuar nga UShT dhe Konsorciumi i Magna Chartas me seli në Bolonja të Italisë, ku mes tjerash u diskutua për sistemet e funksionimeve të universiteteve me praktikimin e Sistemit të Bolonjos dhe autonominë universitare.
“Organizimi i kësaj konference përkon edhe me disa zhvillime të rëndësishme arsimore dhe shoqërore në R. Maqedonisë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit, dhe organizohet pikërisht në kohën kur qeveritë e vendeve tona po përpiqen të rikonfigurojnë modelin e arsimit të lartë në të mirë të shoqërisë sonë. Kjo konferencë mund t’ju shërbejë edhe qeverive tona në kuptimin më së miri të çështjeve të arsimit të lartë, duke ofruar një perspektivë me traditë të mëdha universitare, strumbullarë i së cilës është autonomia universitare, liria akademike dhe impakti i tyre për spektrin e gjerë shoqëror”- deklaroi rektori i UShT-së, prof.dr.Vullnet Ameti.
Në konferencë ishin të pranishëm edhe ministri i Arsimit i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, dhe ai i Kosovës, Arsim Bajrami. Ata me këtë rast vlerësuan se universitet janë një hap para politikës dhe gjithmonë duhet të punojnë për universitete autonome.
“Sistemi i arsimit të lartë ka pësuar reforma të cilat kanë kontribuuar për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, të cilat jepen në Republikën e Maqedonisë përmes implementimit të ECTS-sistemit dhe kornizës kombëtare të kualifikimeve të larta arsimore. Programet e këtilla studimore bazohen nga përfitimi i të mësuarit, ku si qëllim kryesor është ndjekja e tregut të punës dhe punësimi sa më i madh i studentëve të diplomuar”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
“Ne të gjithë duhet të punojmë për universitet autonome, për universitetet që kanë plotësisht pavarësi në raport me qeverinë dhe politiken, për universitet që kanë edhe autonominë akademike, por edhe autonominë financiare, për universitet që kanë një qasje inovative, ndërrimin e mentalitetit të politikave, sepse universitetet janë një hap para politikës, politikat janë konservatore, universitet thejnë këto tabu politike”- tha ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë-Kosovë, Arsim Bajrami.
Njëherit, rektori i UShT-së, Vullnet Ameti, i ndau mirënjohje prof.dr. Sijbolt Noorda, kryetar i “Magna Charta Opservatory”-Bolonjë, për kontributin e dhënë që kjo konferencë e parë ndërkombëtare të mbahet pikërisht në UShT.
VISAR SADIKI
