Maqedoni

Gruevski për "Financial Times": pranoj kërkesat e opozitës, jo edhe dorëheqjen

26.06.2015 16:48

Kryeministri, Nikolla Gruevski, në një intervistë për "Financial Times" thotë se hedh poshtë kërkesat për dorëheqjen e tij...

Kryeministri, Nikolla Gruevski, në një intervistë për "Financial Times" thotë se hedh poshtë kërkesat për dorëheqjen e tij, me qëllim që të ndihmojë në tejkalimin e krizës politike në vend, por tregohet i gatshëm të pranojë propozimet e opozitës për ndarjen e pozicioneve kyçe në periudhën deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. 
 
Sipas tij, kompromiset e tilla do të rrisin besimin në zgjedhjet e parakohshme, të planifikuara për muajin prill 2016. 
 
"Ne jemi të gatshëm që të pranojmë shumë ide të cilat do të rrisin besimin e opozitës ndaj procesit zgjedhor. Me kërkesën për dorëheqje nuk pajtohemi. Vetëm qytetarët kanë të drejtë që të thonë se kush duhet të jetë në qeveri dhe kush duhet në opozitë"- ka thënë Gruevski në një intervistë për  “Financial Times”.
 
Duke paralajmëruar “fitore serioze” në zgjedhjet e ardhshme, kryeministri ftoi që zgjedhjet të vëzhgohen nga vëzhguesit e OSBE-së. Gruevski nuk përjashtoi edhe mundësinë që KShZ-ja të ketë më shumë kompetenca.
 
"Jemi të përgatitur për të pranuar më shumë ide që do të rrisin besimin e opozitës ndaj procesit zgjedhor. Ftoj vëzhguesit e OSBE-së dhe këdo. Sa më shumë të vijnë, aq më mirë për ne, pasi do të shohin gjithçka që është bërë deri më tani, se zgjedhjet kanë qenë të lira dhe demokratike"- ka shtuar kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Ai gjithashtu në intervistë thotë se ndodhitë në Maqedoni janë krizë e brendshme dhe e njëjta do të zgjidhet në nivel politik.
 
SANIJE KASAMI