Skandali në Sh.M. “Marija Kiri”, Qemal Musliu kërkon shkarkimin e drejtorit Celeski
Sjellja arrogante e drejtorit të Shkollës së Mesme “Marija Kiri”, Lupço Celeski, ndaj ekipit të TVM2, duke i penguar xhirimin në këtë shkollë, u hap për shqyrtim në Këshillin e Qytetit të Shkupit...

Këshilltari i BDI-së, Qemal Musliu, kërkoi nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, që të marrë fillimisht në përgjegjësi drejtorin Celeski për sjelljen arrogante dhe më pas të shkarkojë atë.
“A e keni ndërmend të merrni në përgjegjësi këtë drejtor dhe në vend të tij të vendosni person i cili meriton të drejtojë një institucioni arsimor, që të punojë pik së pari në interes të nxënësve? Nëse nuk e keni bërë deri më tani, mendoj se jeni vonuar”- tha këshilltari i BDI-së, Qemal Musliu.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, duke i ikur përgjigjes së menjëhershme, vendosi të përgjigjet me shkrim. Në vend të tij u prononcua udhëheqësja e sektorit për arsim, Daniella Adamova.
“Për raportin e drejtorit me mjetet e informimit unë nuk e di se çfarë mund të them diçka më shumë. Kemi disa njohuri”- theksoi udhëheqësja e sektorit për arsim, Daniella Adamova.
Tre ditë më parë, ekipi i TMV2 u pengua nga drejtori i Shkollës së Mesme të Kimisë “Marija Kiri” për të filmuar procesin e regjistrimit të nxënësve shqiptarë në këtë shkollë.
Celevski me tone të larta ka kërkuar largimin nga shkolla, duke thënë se nuk njeh askënd dhe se ai është vetë drejtor i cili vendos se mund të xhirohet apo jo në shkollën që drejton ai. (Meral Ismaili, TVM2)
