Maqedoni

Raporti i DASH, kritika për sundimin e së drejtës dhe mediat

26.06.2015 17:08

Departamenti amerikan i Shtetit shpalli Raportin vjetor për respektimin e të drejtave të njeriut...

Departamenti amerikan i Shtetit shpalli Raportin vjetor për respektimin e të drejtave të njeriut, në të cilin në pjesën për Maqedoninë janë cekur kryesisht vërejtje për sundimin e së drejtës dhe gjendjen e mediave.
 
"Problemet më të rëndësishme me të drejtat e njeriut dalin nga niveli i dukshëm i korrupsionit, vazhdon kufizimi i lirive mediale, përzierja në gjyqësi dhe akuzimet selektive. Përzierja politike, mosefikasiteti, favorizimi ndaj personave me pozita të mira, proceset e gjata, shkelja e së drejtës për gjykim publik dhe korrupsioni e karakterizojnë sistemin gjyqësor"- shkruan në raport. 
 
Në pjesën e raportit kushtuar mediave thuhet se gazetarë dhe Shoqata e Gazetarëve e Maqedonisë shpesh kanë paraqitur raste të mosrespektimit të lirisë së mediumeve nga ana e pushtetit, përderisa në raportin e OSBE-¬së për zgjedhjet e vitit 2014 ceket se shumica e mediumeve, të cilat i ka vëzhguar kjo organizatë, kanë anuar nga qeveria.
 
"Një numër shumë i kufizuar i zërave mediale në mënyrë aktive shprehin qëndrime pa restrikcion. Mediat dhe raportimi edhe më tej ishin ndarë në mënyrë etnike dhe politike"- shkruhet në raport.
 
Raporti thekson edhe reagimet e shqiptarëve për shkak të përfaqësimit të pamjaftueshëm në institucionet publike edhe pse përfaqësimi po shënon rritje. 
 
Po ashtu ka vërejtje edhe në pjesën për kushtet nëpër burgje dhe diskriminimi i romëve dhe pakicave seksuale.
 
Raporti thekson se shkeljet kryesore ndaj të drejtave të njeriut në botë dalin nga grupet terroriste në Lindjen e Afërt.
 
Më shqetësuese është përhapja e grupeve, si: ISIS, Al Kaeda, Boko Haram dhe Al Shabab. 
 
MERITA GASHI