Futboll
Argjentina në gjysmëfinalet e Copa America, eliminon Kolumbinë
27.06.2015 14:39
Emocione dhe spektakël në Kupën e Amerikës me Argjentinën që eliminoi pas goditjes së 11-metërshave Kolumbinë...

Emocione dhe spektakël në Kupën e Amerikës me Argjentinën që eliminoi pas goditjes së 11-metërshave Kolumbinë duke prerë një biletë për në gjysëmfinale ku do të gjejë përballë fituesin e çiftit Brazil-Paraguai.
La Selecion mban gjallë shpresat për një triumf në Copa America që i mungon që nga viti 1993, edhe pse përballë Kolumbisë 120 minuta nuk i mjaftuan Argjentinës dhe për të përcaktuar skuadrën e kualifikuar u desh goditja e penalltive me Carlos Tevezin që realizoi 11-metërshin vendimtar.
Në Vina Del Mar, Argjentina imponoi ritmin e saj ndaj Los Cafeteros që në fillim. Në minutën e 26-të David Ospina bëri heroin duke ndalur njëri pas tjetrit Sergio Agueron dhe Lionel Messin.
Dominimi i kombëtares albiceleste ishte prezent edhe në pjesën e dytë. Në të 78-tën Ever Banega i shkoi shumë pranë golit me një goditje potente nga distanca. 2 minuta më pas fati nuk ishte me formacionin e drejtuar nga Tata Martino sepse tentativa e Otamendit me kokë u ndal nga shtylla ndërsa Zuniga mbi vijën fatale largoi rrezikun.
Në të 88-tën ishte mbrojtësi më i ri i Interit Jeison Murillo ai që shpëtoi Kolumbinë duke i hequr kënaqësinë e golit Carlos Tevezit. Rezultati nuk u zhbllokua as në 30 minutat e shtesës dhe për të përcaktuar skuadrën fituese u nevojit goditja e 11-metërshave.
Pas 10 penalltive të para rezultati ishte i barabartë 4-4, ndërsa vendimtar rezultoi 11-metërshi i 14-të i realizuar nga Tevez i cili shfyrtëzoi gabimin e Murillos duke kualifikuar Argjentinën me rezultatin e përgjithshëm 5-4.
Tashmë La Selecion ka shanse reale për të ngritur lart një trofe që e dëshiron aq shumë edhe pse kundërshtari i radhës mund të jetë Brazili.
