Futboll
Zyrtare: Tevez kthehet te Boca Juniors
27.06.2015 14:42
Carlos Tevez është larguar nga Juventusi për tu rikthyer te Boca Juniors, ka njoftuar klubi argjentinas...

Boca me një postim në rrjetin social “Twitter” i ka uruar mirëseardhje në La Bombonera sulmuesit 31-vjeçar.
“Tevezi rikthehet në shtëpi. Është realitet. Është zyrtare: Carlos Tevez rikthehet te Boca”, ka njoftuar klubi.
Transferimi i tij është konfirmuar gjatë çerekfinales së Argjentinës ndaj Kolumbisë në Copa America, ku Tevez shënoi penaltinë vendimtare për kombëtaren e tij.
Ndryshe Tevez, karierën e tij profesioniste e nisi te Boca Juniors, ku prej vitit 2001 deri në vitin 2004, në 110 ndeshje, shënoi 38 gola.
Më pas, u transferua në Brazil, te Corinthiansi, ndërsa në Evropë, luajti fillimisht në West Ham, Manchester United, Manchester City dhe Juventus, para se të kthehet në shtëpi pas 11 vitesh.
