Maqedoni
Kriza politike, sot në Shkup do të mbahet takimi i liderëve
29.06.2015 12:22
Në Shkup do të zhvillohet takimi i paralajmëruar i liderëve të katër partive kryesore, që konsiderohet një raund vendimtar lidhur me respektimin e Marrëveshjes...

Në Shkup do të zhvillohet takimi i paralajmëruar i liderëve të katër partive kryesore, që konsiderohet një raund vendimtar lidhur me respektimin e Marrëveshjes së arritur më 2 qershor për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni.
Eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, nuk do të jetë në takim. Diplomatët evroperëndimorë, por edhe partitë politike kanë paralajmëruar se marrëveshja është ende larg, për shkak se VMRO-DPMNE me Nikolla Gruevskin dhe LSDM-në me Zoran Zaevin kanë qëndrime diametralisht të kundërta.
Ata nuk po dakordohen lidhur me pikën 6 të marrëveshjes së 2 qershorit, që ka të bëjë me formimin e qeverisë e cila do të përgatisë zgjedhjet e jashtëzakonshme, fer dhe demokratike të caktuara në fund të prillit të 2016-tës.
Edhe pas takimeve intensive diplomatike të zhvilluara gjatë kësaj jave nga ambasadori amerikan, Jess Baily, dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav, me Gruevskin dhe Zaevin, nuk ka pasur asnjë lëvizje nga pozicionet. Për shkak të kësaj situate, eurokomisioneri Hahn nuk vjen në Shkup, por është theksuar se ai do të mbajë komunikimet me palët negociuese.
Kryeministri, Nikola Gruevski, ka refuzuar që të heq dorë nga posti i tij, sipas kërkesës së opozitës maqedonase, që ai të tërhiqet gjashtë muaj para zgjedhjeve.
Gruevski deklaroi se është i gatshëm të pranojë ndarjen e posteve ministrore me opozitën edhe atë poste kyçe, por duke mos pranuar që të tërhiqet nga posti i kryeministrit.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaroi se pa largimin e Gruevskit asgjë nuk ndryshon. Ata kërkojnë që Gruevski të ikë gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe të formohet një qeveri kalimtare.
