Botë
Kriza greke, qeveria: bankat mbyllen deri më 6 korrik
29.06.2015 13:25
Pas dështimit të bisedimeve mes autoriteteve greke dhe liderëve evropianë gjatë fundjavës, Banka Qendrore Evropiane...

Pas dështimit të bisedimeve mes autoriteteve greke dhe liderëve evropianë gjatë fundjavës, Banka Qendrore Evropiane ka ngrirë fonde të rëndësishme të furnizimit të bankave greke, duke i lënë Athinës pak gjasa manovrimi në mënyrë që të mos rrezikohet kolapsi i tërësishëm i sistemit bankar të vendit.
Dhe këto restrikcione u vërejtën që sot. Me një vendim të qeverisë greke, të gjitha bankat e vendit nuk janë hapur dhe do të mbeten të mbyllura deri në 6 korrik, një ditë pasi të zhvillohet referendumi.
Vendimi përfshin bankat greke dhe të huaja në Greqi.
Nuk do të ketë problem në transaksionet brenda kartelave apo korporatave, por prej mesditës së sotme qytetarët do të mund të tërheqin në të gjitha bankomatet deri në 60 euro në ditë, pra 1800 euro në muaj. Turistët e huaj mund të përdorin normalisht kartat e tyre, nëse ato janë dhënë nga bankat e huaja.
Për sa u përket pagave dhe pensioneve, ato do të depozitohen normalisht në llogaritë e klientëve. Por, pensionistët sot prisnin në radhë të gjata para bankave.
“Na thanë që sot do marrim pensionet, prandaj erdha dhe po pres”- deklaroi një pensionist.
“Erdha se thanë më datën 29 do na paguajnë pensionet, por s’ka ende”- tha një pensionist.
“Për pensionin jam këtu, se s’më mori malli të shoh bankën”- theksoi një pensionist.
Por, çfarë do të ndodhte nëse Greqia lë Eurozonën? Vendi nuk mund t’i kthehet dhrahmisë, pasi ka ende borxhe për të shlyer, analizon “Financial Times”.
Hyrja e një monedhe të re në tregje është e ndërlikuar, sidomos kur bëhet fjalë tek kontratat financiare afatgjata. Për Greqinë vetë, monedha e re mund të sjellë disa përfitime, por nuk do të jetë fare pa kosto. Edhe monedha e përbashkët evropiane, sipas “Financial Times”, nuk do ta kalojë lehtë këtë situatë.
Dalja e Greqisë nga Eurozona hedh në erë parimin e shenjtë të BE-së se: “Eurozona është një klub ku mund të hysh, por nga ku nuk del më kurrë”. Shembja e këtij boshti do të prekë investitorët, korporatat dhe të tjerë me një ekspozim të barabartë ndaj një shpërbërjeje të mundshme të Eurozonës.
GYLTENE SINANI
