Botë
ShBA, avioni rrëzohet mbi një shtëpi, 3 të vdekur
29.06.2015 14:00
Një aeroplan i vogël u rrëzua mbi një shtëpi në Masaçusets të SHBA-ve, duke lënë të vdekur të tre pasagjerët që udhëtonin me të...
Edhe shtëpia është dëmtuar rëndë, pasi u përfshi nga flakët kur avioni ra mbi të. Për fat të mirë 4 banorët e saj arritën të dalin gjallë jashtë.
“U dëgjua një shpërthim i madh, si tërmet. Dola jashtë dhe pashë gjithandej tym të dendur, njerëzit vraponin në rrugë të tmerruar”- deklaroi një banor i zonës.
Zjarrfikësit patën vështirësi në shuarjen e zjarrit, pasi në atë zonë nuk ka hidrantë uji.
“Në shtëpi gjendeshin 4 persona, që për fat të mirë arritën të shpëtojnë. Nuk ka asnjë të mbijetuar nga tre pasagjerët e avionit, gjithashtu nuk kishte asnjë hidrant uji aty pranë dhe puna jonë u komplikua ndjeshëm, sepse na u desh të siguronim ujë në vend tjetër dhe kjo zgjati kohën e fikjes së zjarrit”- tha shefi i zjarrfikësve, Justin Alexander.
Avioni ishte nisur nga aeroporti i Lankasterit në Pensilvani drejt aeroportit “Norvud “në Masaçusets. Ende nuk dihen shkaqet e rrëzimit të tij.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
