Maqedoni

“Wizzair”, 5 linja të reja nga aeroporti i Shkupit

29.06.2015 14:58

Qytetarët e Maqedonisë do të kenë mundësi që prej nesër të udhëtojnë me aeroplan drejt 5 vendeve evropiane...

Kompania e Fluturimeve “WizzAir”, prej nesër do të ketë në disponim 5 linja të reja ajrore nga aeroporti i Shkupit drejt Barselonës, Oslos, Nyrnbergut, Hamburgut dhe Fridihshafenit.
 
Çmimet e biletave do të lëvizin prej 1200 denarësh e sipër. Deri tek këto 5 linja kompania do të operojë 2 herë në javë.
 
“Të gjithë ata që nuk kanë vendosur se ku t’i kalojnë pushimet verore, ja një mundësi e mirë, të udhëtojnë në destinacione atraktive. Në këtë moment i promovojmë linjat për në Barcelonë, Oslo, Nirnberg, Hamburg dhe Fridihshafen”- deklaroi drejtori i TAV-Maqedoni, Zoran Krstevski.
 
“Ngjarja e sodit është ngjarje e madhe për ne. Nga viti 2011 kur kemi ardhur në Shkup, deri më vitin 2015 kemi pasur rritje të madhe. Besoj se pjesëmarrja e madhe do të na inkurajojë për hapjen e më shumë linjave në të ardhmen”- tha zëdhënësi i “WizzAir”, Daniel De Karvaljo.
 
Sipas ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajlovski, me ofrimin e 5 linjave do të zmadhohet numri i udhëtarëve, por edhe numri i turistëve të huaj që do ta vizitojnë Maqedoninë.
 
“Me hapjen e këtyre linjave krijohet mundësi që përmes çmimeve të përballueshme të biletave të vizitohen qytetet më atraktive të Evropës. Qytetarët e Maqedonisë përmes çmimeve të lira do të mund të udhëtojnë deri tek metropolet evropiane, në funksion të zhvillimit të ekonomisë, kulturës, arsimit dhe turizmit”- theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajlovski.
 
Po ashtu, autoritetet informuan se prej 1 korrikut do të hapet edhe një linjë e re fluturimi nga aeroporti i Ohrit për në Bazel.
 
ERSAN PAJAZITI