David Cameron: Lufta kundër ISIS-it, betejë e brezit tonë
Lufta kundër ISIS-it është një betejë për brezin tonë, ka deklaruar kryeministri britanik, David Cameron, lidhur me masakrën në Tunizi, që u mori jetën 38 personave, shumica e të cilëve britanikë...

Cameron, i cili do të drejtojë një tjetër takim të komitetit të emergjencave “Cobra”, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar duhet të ketë një përgjigje të gjithanshme ndaj kërcënimit të ISIS-it, përfshirë këtu edhe vijimin e sulmeve ajrore.
“ISIS mund të mposhtet, por kjo do të kërkojë një kohë të gjatë. Ato që ndodhën në Tunizi ishin të tmerrshme dhe shokuan mbarë botën. ISIS përbën një “kërcënim ekzistencial” për Perëndimin dhe anëtarët e tij në Irak dhe Siri po planifikonin ‘sulme të tmerrshme’ në territorin britanik”- deklaroi kryeministri britanik, David Cameron.
Kryeministri tha gjithashtu se një avion transporti do të dërgohet në Tunizi këtë të hënë, për të ndihmuar në evakuimin e trupave të viktimave dhe, nëse familjet do të jenë dakord, dërgimin e tyre në Britani.
Ndërkohë, sekretarja e Brendshme, Theresa May, vendosi lule në vendin e ngjarjes, në plazhin në qytetin Souse, në nder të viktimave. Homazhe bënë edhe familjarë të viktimave.
Ndërkohë, një numër i vogël turistësh britanikë konsiderohen ende të humbur. Shumica e të vrarëve nuk janë identifikuar ende dhe pjesa më e madhe e detajeve mbi identitetin e tyre deri tani kanë ardhur nga familjarët dhe miqtë. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
