Bozhinovska: Të ndalohet asimilimi i maqedonasve myslimanë
Drejtoresha e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare, Valentina Bozhinovska, pretendon se maqedonasit myslimanë detyrohen të mësojnë dhunshëm në gjuhën shqipe apo turke...

Sipas saj, duhet të revidohen rastet e mësimit të dhunshëm të gjuhës shqipe dhe turke në disa shkolla në Maqedoninë perëndimore.
“Kërkoj revidimin e procesit arsimor, sepse ka raste ku dhunshëm është zbatuar mësimi në gjuhën shqipe apo turke në vend të gjuhës maqedonase në disa shkolla në Maqedoninë perëndimore ku mësojnë maqedonas myslimanë. Në fshatin Baçishtë të Kërçovës, në Strugë, 1991-92, me dhunë u dëbuan arsimtarët që ligjëronin në maqedonisht dhe filloi mësimi në shqip. Po ashtu edhe në 99-tën, në mënyrë jokushtetuese filloi mësimi në gjuhën turke në ‘Mosha Pijadë’, e që më vonë kjo shkollë për fat të keq u emërua ‘Mustafa Kemal Ataturk’”- deklaroi drejtoresha e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare, Valentina Bozhinovska.
Po ashtu, Bozhinovska kërkoi që edhe ritualet fetare, përkatësisht namazi, të realizohen në maqedonishte.
Ndërkohë, akademiku, Vllado Kambovski, në konferencën e organizuar nga Akademia Maqedonase e Shkencave theksoi se maqedonasit e islamizuar janë nën ndikimin e ideologjisë islame.
“Maqedonasit myslimanë i ndjejnë edhe më tej kufizimet që kanë konsideruar se maqedonas mund të jenë vetëm maqedonasit ortodoksë. Nga ana tjetër, për shkak të përkatësisë së religjionit islam ata janë nën ndikimin e islamizmit dhe ideologjisë, e cila zgjidhjen e të gjithë problemeve të njerëzve dhe botës e gjen pikërisht në islam”- tha akademiku, Vllado Kambovski.
Ndryshimi i nenit 11 të Ligjit për shtetësi në vitin 2002, ku është fshirë formulimi, sipas prejardhjes është një ndër faktorët kryesorë për përcaktimin e maqedonasve myslimanë si pjesëtarë të bashkësive tjera etnike, tha kryetari i Lidhjes së Maqedonasve me Besim Islam, Ismail Bojda. (Flutura Latifi, TVM2)
