Maqedoni
Këshilltarët shqiptarë në Shkup kundër donacionit të përmendoreve
29.06.2015 17:09
Propozim-vendimi për pranimin e donacionit për monumentin memorial të maqedonasve të përndjekur nga Greqia...

Propozim-vendimi për pranimin e donacionit për monumentin memorial të maqedonasve të përndjekur nga Greqia në vitin1948 ka shkaktuar reagimin e këshilltarëve shqiptarë në Këshillin e Qytetit të Shkupit.
Këshilltari i PDSh-së, Idriz Orana, u shpreh kundër këtij vendimi, duke shtuar se nuk mundet të donojë përmendore gjithkush që kujtohet dhe të njëjtat t’i pranojë Qyteti i Shkupit. Në pyetjen se pse ky propozim-vendim nuk mund të votohet me badenter, nga sektori për punë juridike përgjigjen se: ky lloj i propozim-vendimeve miratohet vetëm me shumicë votash dhe jo me badenter.
“Kurrsesi nuk pajtohem me faktin se ky qytet nuk është qytet multietnik dhe nuk e përshkruan realitetin në Shkup, duke pasur parasysh se këtu jetojnë edhe nacionalitete tjera. Për pikën të cilën parashihet për të përndjekurit nga Greqia, mendoj se kjo pikë po na përsëritet sikur përmendoret e kaluara, nga fakti se në ditën kur u votua, gjegjësisht, ky këshill miratoi vendim për pesë përmendore, në të njëjtën kohë është filluar ndërtimi edhe i një përmendoreje tjetër, e cila askush nuk e di si erdhi ajo, është përmendorja afër Teatrit Popullor të Maqedonisë”- deklaroi këshilltari i PDSh-së, Idriz Orana.
Qemal Musliu nga BDI thotë se Qyteti i Shkupit ka ndryshuar qëndrimet e mandatit paraprak për votimin e përmendoreve. Sipas tij, në Komisionin e Kulturës, ku bën pjesë ai, nuk ka kaluar ky propozim-vendim.
“Në mandatin e kaluar, qëndrim i Qytetit të Shkupit ka qenë se ne si qytet nuk jemi kompetent për të realizuar projektin “Shkupi 2014”, por ja që në këtë mandat diçka po ndryshon. Ne edhe në të kaluarën kemi qenë kundër këtij projekti, por mund të them edhe sot, pasi kemi një donacion për marrjen e një përmendore si shenjë për të përndjekurit maqedonas nga Greqia në Luftën e Dytë Botërore, mirëpo qëndrimi i BDI-së dhe ne si këshilltarë është se këtë propozim-vendim nuk do ta përkrahim”- tha këshilltari i BDI-së, Qemal Musliu.
Edhe pse kishte kërkesë që kjo pikë të largohet nga rendi i ditës, megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi.
FLORIJE KAMBERI
