Kriza monetare greke, Bogov: Bankat e vendit janë stabile
Bankat e vendit, përfshirë edhe dy bankat greke, “Stopanska” dhe “Alfa Bank”, janë stabile dhe rezistente ndaj krizës greke...

Konfirmimi vjen nga guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov, pas krizës monetare në Greqi. Sipas Bogov, të gjitha bankat e vendit po punojnë normalisht dhe nuk ka tërheqje të depozitave nga bankat.
“Situata në banka është normale, nuk ka tërheqje të depozitave. Bankat janë të hapura, të gjithë bankomatët punojnë, gjithkush mund të marrë apo të depozitojë para pa kurrfarë kufizimesh”- deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.
Sa i takon qytetarëve të vendit të cilët janë për pushime në Greqi, Bogov tha se ata mund të tërheqin para nga bankomatet e atjeshme varësisht nga limiti. Nuk pritet që as qytetarët grekë të vijnë në vendin tonë për tërheqje të parave në bankomatet.
“Limitet që ka vendosur banka e tyre vazhdojnë gjithkund në botë, përfshi edhe Maqedoninë. Nëse për momentin atyre u është kufizuar që mos të munden të nxjerrin më shumë se 60 euro në ditë, atëherë i njëjti limit vazhdon edhe në Maqedoni, që do të thotë se atyre nuk u paguhet të vijnë këtu për të nxjerrë 60 euro nga bankomati”- tha guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.
Dy bankat greke participojnë në sistemin bankar të vendit me 22%. Bogov ka sqaruar se Banka Popullore nëpërmjet masave të jashtëzakonshme të ndërmarra dje ka mbyllur dyert për derdhje të fondeve nga Maqedonia drejt Greqisë për arsye preventive.
Sipas tij, bankat e vendit nuk kanë depozite apo investime të tjera në Greqi. Bilanci tregon vetëm të ardhura neto nga Greqia në Maqedoni në vlerë prej 3.5 milion euro vetëm vitin e kaluar. Bankat e vendit, sipas Bogov, u kanë dhënë hua bankave greke që gjenden në Rumani dhe Maltë.
Me masat e reja bankat janë të obliguara që t’i tërheqin ato para. Investimet greke arrijnë vlerën prej 433 milion euro të realizuara deri në 2008-ën para se të fillojë turbulencat monetare. Prej atëherë e këndej ato shënojnë minimumin. (Meral Ismaili, TVM2)
