Jemen, nga sulmi i IS-it u vranë 28 persona
Grupi ekstremist “Shteti islamik” e ka marrë përgjegjësinë për një sulm nga i cili janë vrarë së paku 28 vetë, përfshirë edhe tetë femra...

Cak i sulmit me makinë–bombë ishin dy vëllezër, liderët e kryengritësve shiitë huthi, Faycal dhe Hamid Jayache, gjatë një ceremonie të varrimit të një anëtari të familjes së tyre në kryeqytetin Sana, ka thënë një burim i sigurisë.
Pas sulmit, kryengritësit huthi e kanë mbyllur qendrën e qytetit, duke lejuar vetëm kalimin e shërbimeve të emergjencës për evakuimin e viktimave. Në një deklaratë të publikuar në internet, militantët e “Shtetit Islamik” thanë se e kanë organizuar sulmin në “folenë shiite” në Sana.
Grupi ekstremist “Shteti Islamik” i konsideron shiitët heretikë dhe shpeshherë i ka sulmuar. Në sulmin e fundit të këtillë, më 26 qershor, një sulmues vetëvrasës i ka vrarë 26 vetë dhe plagosur 227 të tjerë, në një xhami shiite në Kuvajt.
