Botë

Oferta e fundit e BE për Greqinë

30.06.2015 13:19

Brukseli bën një përpjekje të fundit, vetëm pak orë përpara përfundimit të afatit të paketës së ndihmës financiare...

Brukseli bën një përpjekje të fundit, vetëm pak orë përpara përfundimit të afatit të paketës së ndihmës financiare, që Greqia ka ndjekur deri më tani. Burime pranë Komisionit Europian thanë për mediat ndërkombëtare se Kryeministrit grek, Aleksis Cipras i është propozuar, për të nisur lobimin që në referendumin e 5 Korrikut, të votohet në favor të marrëveshjes së re me Brukselin.
 
Në këmbim, do të zhvillohet një tjetër mbledhje urgjente e ministrave të Financave të Eurozonës, ku Greqisë mund t’i jepen alternativa të reja, për të shmangur falimentimin. Në mesnatë skadon edhe afati që Athina t’i shlyejë Fondit Monetar Ndërkombëtar kredinë prej 1.6 miliardë euro.
 
Por Kryeministri grek Aleksis Cipras shprehu qartë qëndrimin e tij, gjatë një interviste në studion e televizionit shtetëror grek mbrëmjen e të hënës.
 
Cipras u bëri thirrje grekëve, të votojnë kundër marrëveshjes, në referendumin e të dielës. Ai tha se vota kundër masave shtrënguese, i jep Greqisë një pozicion më të favorshëm në negociatat për krizën me Brukselin.
 
Në të kundërt, Cipras paralajmëroi se do të japë dorëheqjen, pasi siç u shpreh ai, nuk mund të drejtojë një qeveri për të thelluar shkurtimet e shpenzimeve. Teksa Kryeministri fliste në televizion, mijra qytetarë ishin mbledhur përpara parlamentit, në një manifestim kundër marrëveshjes me Brukselin./Tv Klan