Një hap pranë historisë

30.06.2015 13:37

Vendasit e Copa America 2015 janë shumë afër të shkruajnë historinë e vendit të tyre...

Kili ka arritur që të shkruajë emrin në finale të Copa America 2015 duke e mposhtur Perunë me rezultat 2-1.

Sidoqoftë fitorja e vendit organizator nuk ka qenë e lehtë, bile pak edhe kontraverse pas përjashtimit të lojtarit të Perusë për 20 minuta lojë. Eduardo Vargas ka qenë ylli i ndeshjes me dy gola të shënuara, që i japin Kilit shpresën për titullin e parë jugamerikan në historinë 99 vjeçare të kësaj gare.

Për të ngritur peshë të pranishmit në shkallët e stadiumit mendoi Eduardo Vargas që në minutën e 42-të  tregoi gjithë klasin  e tij duke lënë të shtangur portierin e Perusë, me një goditje të zgjuar nga një distancë shumë e afërt.

Kur kishin kaluar 15 minuta nga fillimi i pjesës së dytë nën presionin e Paulo Guerreros, futbollisti i Interit Gary Medel në tentativë për të larguar topin e dërgoi atë në rrjetën e tij duke vendosur sërish baraspeshën në këtë takim. Por festa nuk zgjati shumë te Peruja sepse pas vetëm 4 minutash Eduardo Vargas me një goditje të bukur nga distanca mposhti për herë të dytë gardianin e Perusë, duke i dhënë edhe njëherë tjetër avantazhin vendit organizator të eventit.

Ky ishte goli i 22-të për Vargas me fanellën e Kilit me sulmuesin që u shndërrua në goleadorin e 6-t më të mirë të të gjithë historisë së La Rojas amerikano-jugore.

Kili në finale do të luaj ndaj Argjentinës ose Paraguajit, të cilët përcaktojnë finalistin e dytë sonte  të Copa America 2015.