Lëvizja “Besa” shpallë procesin e anëtarësimit

30.06.2015 13:47

Lëvizja “Besa” ka shpallur zyrtarisht procesin e anëtarësimit në parti dhe publikoi planin financiar...

Siç bëjnë të ditur nga kjo parti,  procesi i anëtarësimit do të fillojë nga 1 korriku i këtij viti nëpër të gjitha këshillat komunal, ku do të mund të merren deklaratat e anëtarësisë, me plotësimin e të cilave fillojnë të rrjedhin detyrimet dhe të drejtat e secilit anëtarë, përfshi edhe mbështetjen financiare.

“Në përputhje me Ligjin për financimin e partive politike në Maqedoni, Lëvizja “BESA” të hyrat e veta do t’i sigurojë kryesisht nga dy burime të financimit: burimet publike të financimit dhe burimet private të financimit. Siç dihet, për t’i shfrytëzuar burimet publike të financimit është e nevojshme pjesëmarrja në zgjedhje. Prandaj deri atëherë Lëvizja “Besa” do t’i shfrytëzojë burimet private të financimit, siç janë: anëtarësia, donacionet, shitja e materialeve promovuese dhe propaganduese, si dhe të hyrat e tjera të cilat janë në përputhje me Ligjin për financimin e partive politike”- deklaroi Abdush Demiri nga sektori i financave i Lëvizjes “Besa”.

Nga “Besa” shpresojnë në mbështetjen e afaristëve dhe qytetarëve shqiptarë të cilët e mbështesin veprimtarinë politike të kësaj lëvizje, ndërsa premtojnë transparencë sa u përket financave, përfshi edhe dorëzimin e llogarisë vjetore konformë regullativës ligjore te Drejtoria e të Hyrave Publike, Regjistri Qendror dhe Enti Shtetëror për Revizion, ndërsa do të publikohet edhe në ueb-faqen e Lëvizjes “Besa”. (Gyltene Sinani, TVM2)