Maqedoni

Ramadani: BE dhe SHBA të emërtojnë ndërmjetësues në bisedime

30.06.2015 15:25

Është iluzion të mendohet se liderët e partive politike mund të arrijnë marrëveshje për dalje nga kriza politike pa prezencë të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë...

Kështu vlerëson analisti politik, Ismet Ramadani, duke komentuar takimin e djeshëm të liderëve të katër partive më të mëdha politike në vend, me ç’rast ai theksoi se, që projekti i daljes nga kriza të shkojë deri në ditën e zgjedhjeve dhe të fitojmë një qeveri e cila do të jetë plotësisht legjitime, duhet medoemos që BE ose ShBA të emërtojnë një lehtësues permanent. 
 
“Edhe pse këtu kemi një përvojë të ambasadorëve të ShBA-së dhe BE-së, mirëpo mendoj se duhet të rifinalizohet, e krejt kjo pasi një marrëveshje paraprake e 2 qershorit jep mundësi që edhe pak të hekuroset krejt kjo situatë në mënyrë që të organizohet një qeveri kalimtare. Sigurisht se një qeveri kalimtare më e mirë do ishte pa kryeministër Gruevskin, por këtë mund ta bëjë vetëm një presion i madh nga BE-ja dhe ShBA-ja, duke caktuar një ndërmjetësues ose lehtësues i cili do të ketë më shumë përkrahje dhe kompetenca, që  procesin ta vazhdojë edhe më tutje për të tërë atë që do të merren vesh”- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Kriza politike dhe stërzgjatja e moszgjidhjes është e lodhshme për të gjithë qytetarët e vendit, thotë Ramadani, por mbi të gjitha qytetarët kërkojnë një zgjidhje afatgjate në të mirë të tyre, thotë ai. 
 
“Si duket ata janë të përgatitur se edhe nëse zgjatë pak më shumë ky dialog ose bisedimet, kërkojnë pra një zgjidhje që do të jetë e ndryshme, e shëndoshë dhe zgjidhje e cila nuk jep shans, ose fare nuk jep shans më tutje që prapë të ndodhin këso kriza politike, të cilat Maqedoninë e stagnojnë edhe në proceset demokratike, por edhe krijojnë kriza të segmenteve të ndryshme të jetëve të përditshme të qytetarëve”- tha analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Megjithatë, sipas analistit politik, Ismet Ramadanit, kriza greke ka çuar në fund të fokusit të BE-së krizën politike të Maqedonisë. 
 
SANIJE KASAMI