Maqedoni

UEJL, debat për shpalljen e Malit Sharr Park Nacional

30.06.2015 16:31

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë ka filluar debati publik për projektin që ka ndërmarrë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për të shpallur Malin Sharr si Park Nacional...

Qëllimi përfundimtar i projektit është rritja e përqindjes së zonave të mbrojtura prej 9% në 12%, ku pritet të përfshihet edhe shpallja e Malit Sharr si Park Nacional. 
 
Ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, bëri të ditur se të gjitha dokumentet e nevojshme për Malin Sharr u përpunuan nga Zyra e UNEPI-it në Vjenë në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor.
 
“Në muajin shkurt, me vendim të qeverisë obligohemi që të fillojmë iniciativën për shpalljen e Parkut Nacional të Malit Sharr, dhe studimi i valuvizimit do fillojë muajin që vjen dhe është i financuar nga Fondi Global (FEG), ku si implementues i këtij fondi është UNEP nga Vjena. Pritet që në fillim të muajit të ardhshëm dhe deri në përfundim të tij të bëhet studimi i valorizimit dhe të mbarohet deri në fund të këtij viti, me ç’rast pritet edhe atëherë të bëhet shpallja e ligjeve për Park Nacional”- deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
 
Shpallja e Malit Sharr si Park Nacional mbështetet edhe nga Komuna e Tetovës.
 
“Normal që edhe ne do marrim pjesë në këtë debat publik, përparësitë të cilat janë dhe e bëjnë të rëndësishme shpalljen faktikisht të kësaj zone si zonë dhe si Park Nacional, mendojmë se absolutisht janë të mirëseardhura për banorët e kësaj ane, sidoqoftë ne do i shohim të gjitha aspektet që ministri do t’i parasheh dhe do na jep këtu, dhe normalisht edhe me aspektin se qytetarët sa më të qartë të jenë dhe mos të ketë keqinterpretime aq më mirë, faktikisht të ketë mendime të ndryshme të kësaj iniciative pozitive”- tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe nga Komuna e Tetovës u shprehën se do të organizojnë debate edhe me bashkësitë lokale të fshatrave, ku do të debatojnë për qëllimin dhe përparësitë që kanë në qoftë se do të shpallet Mali Sharr Park Nacional. 
 
VISAR SADIKI