FSSh, marrëveshje me 21 farmaci në mjedise rurale

30.06.2015 16:55

Fondi për Sigurim Shëndetësor ka nënshkruar marrëveshje të reja me 21 stacione farmaceutike që ju takojnë mjediseve rurale...

Marrëveshjet do të fillojnë të vlejnë nga 1 korriku i vitit 2015, ndërsa nga kjo marrëveshje janë formuar 5 barnatore të reja mobile, ku si qëllim kanë që vendet rurale të furnizohen me barna, si dhe të kenë nga një teknik farmaceutik dhe një punëtor shëndetësor. 5 barnatoret e reja mobile janë paraparë të hapen në fshatin Vrapçishtë të Gostivarit, Roshtushë në Mavrovë, fshatin Mogila, Komunën Bogovinë dhe Bervenicë. Kuota totale vjetore që Fondi do të akordojë për këto barnatore është 3.8 milion denarë.

“Ju njoftojmë se dje Fondi Shëndetësor ka nënshkruar marrëveshje të reja me 21 stacione farmaceutike që ju takojnë mjediseve rurale të territorit të Maqedonisë, prej të cilave 5 janë barnatore mobile, të cilat do të mbulojnë 35 mijë qytetarë. Marrëveshjet e nënshkruara në 13 stacionet farmaceutike përfshijnë 48 mijë e 500 banorë, faktikisht siguruesit tanë me kuotë janë me vlerë prej 7. 8 milionë denarë në nivel vjetor. Gjithsej me 46 marrëveshje me stacionet farmaceutike paraprakisht të nënshkruara përfshijnë rreth 90 mijë qytetarë të Maqedonisë, të cilëve do t’u ndahen 31. 4 milionë denarë në nivel vjetor, gjegjësisht me numrin e përgjithshëm të 59 stacioneve farmaceutike Fondi i Sigurimit Shëndetësor do të ndajë gjithsej 43 milion denarë”- deklaroi drejtori i Fondit Shëndetësor, Orhan Ramadani.

Fondi Shëndetësor në nivel vjetor ndanë një shumë të konsiderueshme prej 2.5 miliard denarësh për barna. Mjetet janë të shpërndara në gjithsej 708 barnatore, të cilat në këtë moment kanë marrëveshje aktive me Fondin Shëndetësor. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)